Një sulmues i maskuar si furnizues i “FedEks” qëlloi dhe vrau djalin 20 vjeçar të gjykatëses federale të SHBA-së, Ester Salas.
Mbrëmë, djali ka hapur derën për furnizuesin e supozuar në shtëpinë e familjes së tyre në Nju-Xhersi, ndërsa në sulmin u plagos edhe burri i gjykatëses.
Incidenti ndodhi në Brunzvikun verior, ku ndodhet shtëpia e Salas, e cila gjatë kohës së sulmit ishte në bodrum dhe nuk u plagos.
Policia është ende në kërkim të autorit, shkruan “Gardian”.
Salas u emërua për gjykatëse federale nga ish presidenti Barak Obama, që u konfirmua zyrtarisht në vitin 2011. Rasti i saj më i rëndësishëm vitet e fundit ishte mashtrimi financiar që përfshinte yjet e shfaqjes reale “Amviset e vërteta në Nju-Xhersi”, Tereza dhe Xho Gajdis, të cilët, Salas i dënoi me burg.
Në vitin 2017, e hodhi poshtë kërkesën e prokurorëve federalë për dënimin me vdekje për një udhëheqës të dyshuar të bandës, i akuzuar për disa raste të vdekjes në Njuark. Në aktgjykimin, ajo deklaroi se burri nuk ishte dënuar me vdekje për shkak të paaftësisë së tij intelektuale dhe e dënoi atë me 45 vjet burg.
Kohët e fundit, Salas kryesoi me padinë të ngritur nga investitorët e Dojçe Bank. Investitorët pretenduan se banka rrejshëm kishte paraqitur rregullat e saj kundër larjes së parave dhe nuk arriti të ndjek klientët “e rrezikshëm”, përfshirë edhe kriminelin e dënuar seksual, Xhefri Epshtajn.
