Kjo qeveri nuk ka qëllim të na fusë në Bashkimin Evropian dhe na çon në izolim, e përsëriti qëndrimin kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, pasi këto ditë edhe kryeministri e përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese derisa të ekzistojë mundësia që sërish të na vendosen kërkesa dhe veto. Për të tejkaluar frikën nga bllokadat e reja, Filipçe bën thirrje për bashkim dhe vija të përbashkëta të kuqe.
“Të bashkohemi dhe të themi se për çfarë, nëse më tej gjatë negociatave përballemi me disa kërkesa joparimore, atëherë ne kemi konsensus se për gjuhën, identitetin, kulturën dhe historinë nuk negociojmë, këto janë vija të kuqe të përbashkëta dhe në më shumë situata, secila nga partitë politike i ka theksuar. VMRO-DPMNE i ka theksuar, ne i kemi theksuar, hajde të ulemi në tavolinë bashkërisht dhe ta vendosim këtë”, tha Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Një nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN, Bilall Kasami, thotë se Qeveria po punon intensivisht në agjendën reformuese që lidhet me procesin e eurointegrimeve.
“Çdo zgjidhje e këtij problemi në vetvete përfshin edhe një marrëveshje me Sofjen për atë se si më tej do të vazhdojë procesi i integrimit, sepse procesi i ndryshimeve kushtetuese dhe përfshirja e komunitetit bullgar është drejtpërdrejt e lidhur me vazhdimin e procesit të eurointegrimeve. Nëse nuk kemi një situatë më të qartë se ky proces do të vazhdojë me intensitet më të madh, do të jetë më e vështirë të sigurohen numrat në Kuvend për të bërë ndryshimet kushtetuese”, tha Bilall Kasami, VLEN.
Por deklarata e presidentes Gordana Siljanovska Davkova shkaktoi reagime në opinionin publik, pasi tha se shteti duhet të përmbahet nga statusi i anëtarësimit dhe të mos e marrë parasysh, siç theksoi, rrugën e trilluar drejt Brukselit. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Zoran Dimitrievski, nuk deshi ta komentojë këtë, duke thënë se nuk e ka kuptuar se çfarë saktësisht ka menduar presidentja Siljanovska.
“Unë gjithsesi nuk do ta interpretoja presidenten, nuk mund të kuptoj në çfarë konteksti dhe çfarë saktësisht ka deklaruar, edhe pse kam lexuar mediat, sigurisht ajo do të duhet të shpjegojë se çfarë saktësisht ka menduar, megjithatë në çdo rast ne mbetemi të përcaktuar fuqishëm drejt eurointegrimeve, Maqedonia nuk ka rrugë tjetër”, tha Zoran Dimitrievski – zëvendësministër i Punëve të Jashtme.
Këto ditë Instituti për Demokraci e publikoi hulumtimin për eurointegrimet, në të cilin u shënua se po rritet mbështetja e qytetarëve për anëtarësim në BE, por nga ana tjetër, po rritet edhe numri i atyre që kanë treguar se janë kundër miratimit të ndryshimeve kushtetuese.
