Dega e Alternativës në Çair kërkon dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë Bekim Sali, që vjen nga po kjo parti. Të pakënaqur nga puna e ministrit, kjo degë i dha 10 ditë kohë kryetarit të Alternativës Afrim Gashi që të ndërmarrë nismë për shkarkimin e Salit, në të kundërt paralajmërojnë dëme dhe pasoja në parti.
“Në lidhje me punën dhe sjelljen e pahijshme të një funksionari që punon nga radhët tona, tash e disa muaj është i njoftuar edhe kryetari i partisë z.Afrim Gashi i cili akoma asgjë nuk ka ndërmarrë në këtë drejtim, andaj apelojmë deri te kryetari partisë konform kompetencave që ka dhe obligimet me të cilat e ngarkon statuti i partisë, që në afat prej 10 ditëve të iniciojë shkarkimin e ministrit, përndryshe përgjegjësia për hapat e mëtejshëm, dëmet dhe pasojat në parti do të bien ekskluzivisht mbi të”, tha Meriton Civuli, Alternativa – Dega Çair.
Arsye për kërkimin e dorëheqjes së ministrit sipas degës në Çair janë këto:
“Mos avancimi i kuadrove shqiptare në 10 muajt e fundit, asnjë shef reparti, asnjë motër kryesore medicinale, asnjë vendim për mjeket që janë me kontratë në vepër dhe të tjera. Përqindja e kuadrove shqiptare në kuadër të balancuesit është shumë shqetësuese dhe fyese, asnjë plan dhe projekt konkret investime kapitale në Klinikat dhe Spitalet shqiptare”, pohoi Meriton Civuli, Alternativa – Dega Çair.
TV21 kërkoi qëndrim nga ministri i Shëndetësisë, por deri në këtë edicion lajmesh nuk kemi marr përgjigje.
