Një grua në “pleqësinë” e Shipkovicës! Qitabia thotë se fshati është harruar nga çdo pushtet

TË FUNDIT

Kjo është Qitabie Kurtishi nga Shipkovica e Tetovës. Është e vetmja grua në bashkësinë lokale të fshatit, e ndoshta e vetmja në gjithë vendin. Të qenit pjesë e këtij trupi që formohet nga vetë fshatarët, e sheh si sfidë.

 “Këta më bën një ftesë për të marrë pjesë në këtë këshill dhe unë thash nëse e shihni të arsyeshme se mund t’i ndihmoj di­çka Shipkovicës, unë jam këtu”, tha Qitabie Kurtishi.

Është e zhgënjyer me lënien pas dore të këtij fshati në malësinë e Sharrit.

 “Shipkovicën brenda 20 vjetëve e shoh të anashkaluar nga shteti, nga komuna, nga të gjithë se Shipkovica më parë ka pasur pleqësi të fshatit, mërgimtar nuk ka pasur si sot,  ishte katundi më i mbushët, ndërsa tash ka mbet katundi me pleq e plaka edhe shumë pak njerëz”, deklaroi  Qitabie Kurtishi.

Flet për planet edhe nevojat e Shipkovicës. Nevojat sipas saj janë të shumta. Duhen rrugë që janë shkatërruar nga vërshimet. Ujësjellësin kanë, ndërsa kanalizimin e kanë bërë banorët me vetëiniciativë.

 “Kemi një vend të zbrazët lart, duhet të behët një park për fëmijë dhe pleqtë të kenë ku të dalin,  ato janë vende të humbura. Kemi bërë një kërkesë tek komuna për murin por nuk na kanë informuar nëse do na ndihmojmë. Kemi kërkesë për rastin e përroit, ata të parët kanë ardhur kanë bërë disa fotografi se do rregullohet. Shtrati lumit nuk është bërë nga 2015-ta dhe sa herë aty bie shi ne nuk flemë, se kanë humbur jetë njerëzish dhe ajo pjesa ajo lagjja që është nuk flenë se kanë frikë mos vinë prapë vërshimet”, pohoi Qitabie Kurtishi.

Për Qitabien, Shipkovica është qytet, por qytet i anashkaluar nga shteti, i cili kujtohet vetëm për ndonjë aktivitet kulturor. Fshati ka edhe shoqatën kulturore “Rexhep Voka”, kurse anëtarja e bashkësisë kujton me krenari se gratë e Shipkovicës çdo herë kanë qenë të papërtuara për ngjarje të rëndësishme, siç ka qenë edhe themelimi i Universitetit të Tetovës.