Pas nismës së koalicionit VLEN për krijimin e Akademisë së Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut kanë vërshuar reagimet, jo vetëm nga opozita, por edhe nga partitë në pushtet.
Kryetari i ZNAM, Maksim Dimitrievski ka kritikuar idenë duke thënë se shteti ka një akademi të tillë dhe nuk ka nevojë për paralelizëm.
“Në Maqedoni ekziston ASHAM, si një Akademi e vetme që është e të gjithëve dhe nuk lejohet asnjë paralelizëm. Partnerët në qeveri nga VLEN duhet të drejtohen nga rritja ekonomike dhe zhvillimi i shtetit, për jetë më e mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe përkushtim thelbësor për të shtypur krimin dhe korrupsionin, përfshirë korrupsionin politik”, shkroi Maksim Dimitrievski – ZNAM.
Izet Mexhiti nga VLEN tha se askush nuk duhet të frikësohet nga Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art, sepse siç shtoi kjo garanton progres për të gjithë shtetin. Ai edhe parashtroi pyetje se pse deri tani në ASHAM nuk ka pasur asnjë të punësuar shqiptar.
“Në pyetjen do të duhet të përgjigjem në pyetje retorike, pse ASHAM (Akademia e Shkencave dhe Arteve në Maqedoni), deri më sot pra nuk ka asnjë të punësuar shqiptar, kjo është absurdi, nuk është absurdi pse shqiptarët duhet të jenë të kyçur aty, dhe mendoj se është në interes të këtij shteti dhe duhet të jenë të kënaqur të gjithë qytetarët, edhe shumica e parë maqedonase, edhe shumica e dytë shqiptare dhe të gjithë të tjerët. Deri sa qytetarët e këtij vendi kërkojnë të merren me hulumtime shkencore, me shkencë, me pjesën akademike, mendoj se këto iniciative duhet të përshëndeten, duhet të mbështeten, sepse fundi fundit, është investim për të ardhshmen e këtij vendi”, deklaroi Izet Mexhiti, zv/kryeministër.
Reagoi edhe partneri më i madh i koalicionit VMRO DPMNE.
“Akademia e Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë (ASAHM) është i vetmi institucion që bashkon mendimin shkencor maqedonas dhe në përbërjen e saj ka shkencëtarë nga bashkësitë e ndryshme etnike. Kriteri për anëtarësim në Akademinë e Shkencave nuk mund të jetë përkatësia etnike apo politike, por arritjet shkencore dhe kontributi në shoqëri. Shkenca nuk është diçka që duhet dhe mund të politizohet dhe etnizohet”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Kritika erdhën edhe nga partia shqiptare në opozitë të cilët idenë e quajtën “akademi muhallash”. Nga BDI thonë se ky do të jetë rast i vetëm në botë, ku akademia e shkencave dhe arteve do të finansohet nga komunat.
“Në vend se të marrin kryesimin e Akademisë shtetërore për shkencë dhe arsim, të krijonin vend për më tepër akademikë, të votonin ligjin që ne propozuam ndërsa ata e bllokuan me VMRO-në për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në ASHAM, këta dolën me “idenë e madhe komunale” që poshtërson akoma më tepër shqiptarët”, shtojnë nga BDI.
Reagimit të BDI-së i replikoi Arben Taravari përmes një statusi në fb në të të cilin shkruan: Është sa e dhimbshme po aq e turpshme që për herë të parë që po tentohet të zyrtarizohet një Institucion Shqiptarë për Shkencë dhe Art, të parët që e sulmojnë janë hallexhinjtë e BDI-së.
Iniciativa për Akademinë shqiptare për Shkencë dhe Art nisi të shtunën në Tetovë nga liderët e koalicionit VLEN bashkë me disa akademikë, nga ku u tha se kjo nismë fillimisht do të financohet nga komunat e më pas, do të punohet drejt sigurimit të mbështetjes shtetërore.
Ndryshe akademiku Abdylmenaf Bexheti para 1 viti në hapjen solemne në Qeverinë e RMV-së, të edicionit të pestë të manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, me rastin e shënimit të 115 vjetorit të Kongresit të Manastirit, adresoi kritika të ashpra ndaj Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, i cili tha se kur fillon të flas shqip me fjalë përshëndetëse, gjysma e kolegëve e lëshojnë sallën.
