Nisma O2 paralajmëron protesta, paratë kundër ndotjes riorientohen për spitalin e Strumicës

TË FUNDIT

Nga programi i paraparë i Ministrisë për ambient jetësor për uljen e ndotjes, gjë për të cilën u planifikuan 2 milion euro, është realizuar vetëm një furnizim publik në vlerë prej 439 mijë eurove, për ndryshim të nxehjes dhe se për këtë nuk është nënshkruar marrëveshje, akuzojnë nga Nisma qytetare O2. Pikërisht për këtë, nga 20 deri më 27 shtatori do të protestojnë në suaza të javës botërore të ndryshimeve klimatike globale. Do të protestojnë kundër ndotjes dhe u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të marrin pjesë. Thonë se nevojitet zgjidhje sistemore, e jo masa.

“Tek ne ka revolt për shkak se janë riorientuar  mjete nga ato 2 milion eurot e parapara, të cilat edhe ashtu nuk ishin shumë, për nxehjen në spitalin e Strumicës. Ne nuk jemi për ndryshim të nxehjes, por u paralajmërua që ata mjete për nxehje do të sigurohen nga dikush tjetër”, u shpreh Nevena Georgieva nga iniciativa 02.

Nga Ministria e Mjedisit na u përgjigjën se përveç kërkesës së Nismës O2, për zëvendësimin e mënyrës jo ekologjike të nxehjes në të gjitha institucionet shëndetësore, u morr vendim për të riorientuar mjetet për të kyçur spitalin e Strumicës në gazsjellësin e  qytetit.

“Në seancën e 153 të Qeverisë, u soll Vendim për riorientim të mjeteve nga Plani për ajër të pastër, me qëllim mjete indirekte (mjete për përgatitjen e fushatës dhe ueb platformës për ndjekjen e implementimit) të riorientohen në direkte, përkatësisht është sjellë vendim për miratimin e 5 milion denarëve (ose 81.300 euro) nga buxheti për kyçjen e spitalit të qytetit të Strumicës në gazsjellësin. Në mënyrë shtesë, mjetet për fushatë do të sigurohen nga Ministria e mjedisit si dhe ueb platforma që do të përgatitet nga ana e Sekretariatit të përgjithshëm”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinorë.

Ministria ka kërkuar propozime nga O2 kur e kanë konceptuar programin, por siç thonë ata, e kanë parë në fund kur është sjellë nga Qeveria. Kanë dhënë vërejtje se ka shumë pak mjete dhe kanë sugjeruar që të bëhet plan për realizim. Kanë propozuar që në 3 deri në 6 muaj të publikohet çfarë është bërë, si është bërë, si po realizohet zbatimi i programit. Nëse nuk shkon sipas planit, të kryhet revizion që nga fillimi që të shihet se a po zhvillohen punët në drejtimin e duhur, për uljen e ndotjes ose jo. Nga O2 thonë se stacionet matëse nuk punojnë më shumë se një vjet.