Nisma e Re: Qeveria ka dështuare me memorialin e të zhdukurve

TË FUNDIT

Aktivistët e “Nisma Ime” në mënyrë simbolike vendosën sot një pllakë pranë memorialit për personat e pagjetur, e cila gjendet në hapësirën mes Kuvendit dhe Qeverisë, për shkak se po konsiderojnë se institucionet e vendit kanë krijuar forma të dështuara për memorializimin kolektiv për ngjarjet e luftës së fundit të Kosovës.

Ata këtë pllakë e vendosën në mënyrë që nesër, Dita Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur të shënohet në mënyrë më dinjitoze.

Sipas njërit nga anëtarët e kësaj nisme, Albert Selimi memorialët tashmë të vendosur nga ana e institucioneve, veçmas për personat e pagjetur, mbesin forma të dështuara të kujtesës kolektive dhe i kontribuojnë mohimit të së vërtetës.

Edhe qytetarët të cilët e panë këtë aksion pajtohen me atë se këto pllaka të vendosura në shenjë të të pagjeturve nuk i përfaqësojnë ata si duhet.

Luljeta Dragaj thotë se po të mos kishte dëgjuar në televizion nuk do e dinte se çka simbolizon memoriali i vendosur për nder të personave të zhdukur, kjo pasi që nuk ka të paktën as edhe një mbishkrim në të.

Se institucionet po bëjnë pak në këtë drejtim, e thotë edhe Sevdije Mustafa, e cila shton se qeveritarët duhet të ua plotësojnë dëshirat nënave të të zhdukurve.

Aktualisht në Kosovë janë mbi 1600 persona, të vrarë e të zhdukur pastaj nga forcat serbe, fati i të cilëve nuk dihet që nga lufta e fundit e në Kosovë.