Nisin negociatat VLEN – VMRO/ Mickoski thotë se qëllimi i përbashkët është arritja e 80 deputetëve

TË FUNDIT

Grupi i punës nga VMRO-DPMNE priti në takim grupin punues nga koalicioni VLEN. Në “Pallatin e bardhë” të VMRO-DPMNE-së, filluan negociatat e para për formim të kabinetit qeveritar.

Në hyrje, Azir Aliu nga koalicioni VLEN, tha se sot do të flitet vetëm për metodologjinë dhe dinamikën e negociatave.

Cila është tema e këtij takimi më konkretisht?
Metodologjia dhe dinamika e punës.
Sa takime prisni që të realizoni?
Varet, do të shohim.
Kur do të filloni më konkretisht rreth zgjidhjeve kadrovike?
Po me siguri mbledhja e radhës do të jetë më konkrete”, tha Azir Aliu.

Tregoi se ndarja e resoreve do të fillojë nga takimi i radhës.

Pas takimit përfaqësuesit e VLEN nuk u ndalën të zbulojnë detaje nga takimi.

Për atë se çfarë u bisedua në mbledhje, dërguan njoftim me shkrim. Thonë se në takim është theksuar nevoja për mbajtjen e përcaktimeve programore të cilat morën mbështetje nga qytetarët. Gjatë udhëheqjes së Qeverisë së re, të kihet kujdes me principet e dakorduara, dinamizim i fuqishëm i integrimeve të BE-së, lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe reforma ekonomike për standard më të lartë ekonomik. Bisedimet do të vazhdojnë në periudhën në vijim.

Grupi i punës i VMRO-DPMNE-së për takimin e kanë informuar edhe kryetarin e tyre të partisë. Mickoski tha se takimi është zhvilluar në drejtim të duhur dhe se qëllimi i tyre është që të konsolidojnë 80 deputetë në Kuvend.

“Bisedimet nga ajo që jam i informuar nga pjesëmarrësit e VMRO-DPMNE-së, është se po zhvillohen në drejtim të duhur. Jemi optimist se qëllimi ynë i dytë është që së bashku me partnerët e koalicionit të arrijmë të konsolidojmë 2/3 në Kuvendin e Maqedonisë. Pse janë të nevojshme këto 2/3. Janë të nevojshme sepse kemi qëllim serioz për atë që folëm para zgjedhjeve, të bëjmë ristrukturim serioz dhe riekipim të kabinetit qeveritar”, deklaroi Mickoski.

Por para se të bëhen zyrtarisht partnerë të koalicionit me VMRO-në, Blerim Bexheti nga Fronti Europian e paralajmëroi VLEN-in që të jenë të kujdesshëm, dhe të mos pranojnë lehtë siç thotë, shërbimin e ideve të mbrapshta që çojnë pas shqiptarët.

“Prandaj prej këtu, u apeloj këtyre të VLEN-it, të jenë më të kujdesshëm. Në aspekt njerëzor, kolegial, që mos të pranojnë lehtë shërbimin e këtyre ideve të mbrapshta që i çojnë pas shqiptarët. E them me shumë kompetencë. Kam përvojë edhe institucionale. Mendoj se jam njohës i mirë edhe i rrethanave juridike. Janë dy çështje aq të rëndësishme që ata duhet të ndalen dhe të mendohen. Të pimë një kafe bashkërisht dhe të shohin se në çfarë aventure janë duke u zhytur”, tha Bexheti.

E para se të fillojë takimi mes VLEN dhe VMRO, një takim tjetër u realizua mes krerëve të partive politike pjesë e Frontit Europian. “Bashkë për fitoret e radhës para nesh” shkroi kreu i Bashkimit Demokratik  për Integrim, Ali Ahmeti në profilin e tij në Facebook.