Nisin ndeshjet e 1/8 së finales në Botërorin 2026, përballen Kanadaja–Maroku dhe Franca–Paraguai

TË FUNDIT

Me ndeshjen mes Kanadasë dhe Marokut, që luhet sonte, nis faza e 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026. Çerekfinalisti i dytë do të përcaktohet pas përballjes mes Francës dhe Paraguait.

Kanadaja, njëra nga tri vendet organizatore të Botërorit, ishte skuadra e parë që siguroi kualifikimin në këtë fazë. Në Los Anxhelos, ajo mposhti Afrikën e Jugut me rezultat 1:0 falë golit të Stefan Eustaquio në minutat shtesë, duke arritur për herë të parë në histori të kualifikohet në 1/8 e finales të një Kampionati Botëror.

Nga ana tjetër, Maroku siguroi kalimin më tej pasi eliminoi Holandën pas ekzekutimit të penalltive, duke fituar me rezultat 3:2.

Ndeshja në stadiumin e Hjustonit do të nisë në orën 19:00 sipas kohës së Evropës Qendrore dhe do të jetë përballja e tretë mes këtyre dy përfaqësueseve. Maroku i ka fituar dy ndeshjet e mëparshme, përfshirë edhe triumfin 2:1 ndaj Kanadasë në fazën e grupeve të Botërorit në Katar më 2022.

Ndeshja e dytë e mbrëmjes do të zhvillohet në Filadelfia, ku Franca do të përballet me Paraguain duke filluar nga ora 23:00.

Francezët u kualifikuan në këtë fazë pasi mposhtën bindshëm Suedinë me rezultat 3:0, ndërsa Paraguai shkaktoi surprizën më të madhe duke eliminuar Gjermaninë pas penalltive, pasi ndeshja përfundoi 1:1 pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve.

Franca dhe Paraguai janë përballur tri herë më parë, por ndeshja e sontme do të jetë e para zyrtare mes tyre. Në dy miqësore kanë barazuar, ndërsa njëherë Franca ka fituar bindshëm me rezultat 5:0.