.
Ndryshimi i modelit nga 6 njësi në 1 njësi zgjedhore nuk ishte temë diskutimi në mbledhjen e parë konstituive që pati grupi i punës për reforma në Kodin zgjedhor. Të parën gjë që e bënë është zgjedhja e kryetarit e që është ish-kryetari i Komisioni Zgjedhor Aleksandar Novakovski. Ai tha se puna e parë që do ta bëj ky grup pune do të jetë përfshirja e rekomandimeve dhe vërejtjeve të OSBE-ODIHR-së në Kodin zgjedhor.
“Unë jam optimist për mënyrën e punës sepse shoh se përfaqësuesit në grupin e punës janë njerëz të cilët janë nga kjo fushë dhe të cilët një kohë të gjatë punojnë në këtë materie. Shpresoj se do të dalim me propozim dhe do të arrijmë t’i respektojmë afatet që janë përcaktuar nga standarde europiane që këto ndryshime të zbatohen një periudhë 6 mujore para zgjedhjeve”, tha Aleksandar Novakovski, kryetar i Grupit të punës.
I të njëjtit mendim është edhe ministri i Drejtësisë Krenar Lloga. Tha se prioritet i këtij grupi nuk është modeli zgjedhor, por mbyllja me sukses e ndryshimeve që vijnë si pasojë e rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHR-së e më pas të përpilohet kod i ri zgjedhor.
“Të gjitha vërejtjet që janë dhënë në raportin e OSBE-ODIHR do të inkorporohen. Sot biseduam për modalitetin se si do të jepen zgjidhje, do të diskutohen nga ana e ekspertëve dhe nga ana e institucioneve tjera dhe mendoj se do të kenë zgjidhje konkrete ligjore për këtë punë”, pohoi Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë.
Pas mbledhjes, për media foli edhe Arbër Ademi nga BDI. Në lidhje me ndryshimin e modelit zgjedhor, tha se janë të gatshëm të bisedojnë, por edhe janë të interesuar që mos t’u bëhet me hile shqiptarëve e komuniteteve tjera pa dallim.
“Po e përsërisë qëndrimin duhet të kemi një model i cili do të reflektojë më së mirë strukturën heterogjene të shoqërisë. Ka pasur edhe modele zgjedhore në të kaluarën ku as për së afërmi nuk është pasqyruar realiteti shoqëror. Prandaj maksimalisht jemi të interesuar që të diskutojmë dhe mbi bazën e argumenteve të vendosim. Në qoftë se flasim për një njësi zgjedhore atëherë flasim edhe për prag, shembull për 5% , për lista të hapura”, theksoi Arbër Ademi, koordinator i G.P. të BDI-së.
Në mbledhjen e parë konstituive të pranishëm ishin edhe përfaqësues të të gjitha partive politike, përveç opozitares VMRO-DPMNE, e cila insiston në kërkesën për një njësi zgjedhore. Sa i përket rekomandimeve të OSBE-ODIHR, Novakovski u shpreh se të gjitha partitë janë të gatshme t’i pranojnë. Vërejtjet kanë të bëjnë me financimin e partive politike, zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit zgjedhor nga partitë politike.
