Nisi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale në Maqedoni, do të zgjasë deri më 17 tetor, më 19 zgjedhjet

TË FUNDIT

Sot nisi dita e parë e fushatës njëzetditore për zgjedhjet lokale të vitit 2025, të cilat do të mbahen më 19 tetor. Partitë politike dhe koalicionet kanë filluar aktivitetet e tyre zyrtare zgjedhore.

Fushata, e cila startoi në mesnatë, do të zgjasë deri më 17 tetor në mesnatë. Pas kësaj do të hyjë në fuqi heshtja zgjedhore 24-orëshe, ndërsa raundi i parë i votimit do të zhvillohet më 19 tetor dhe raundi i dytë më 2 nëntor.

Sipas Kodit Zgjedhor (neni 69a), fushatë zgjedhore konsiderohen tubimet publike, ngjarjet e organizuara nga pjesëmarrësit, shfaqja e bilbordeve, video-prezantimet në hapësira publike, paraqitjet mediatike dhe në internet, shpërndarja e materialeve të shtypura si dhe prezantimi publik i kandidatëve dhe programeve të tyre.

Në rast shkeljesh të rregullave, pjesëmarrësit kanë të drejtë të paraqesin ankesë në KSHZ, e cila duhet të vendosë brenda 72 orëve. Kundër vendimit të KSHZ-së mund të ngrihet padi në Gjykatën Administrative, e cila ka afat prej 72 orësh për të marrë vendim.

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) është e obliguar të dorëzojë raporte javore në KSHZ, ndërsa gjatë fushatës të publikojë raporte ditore në ueb-faqen e saj. Ndërkohë, rezultatet e sondazheve të opinionit publik mund të publikohen deri më 13 tetor në orën 24:00.

Në ditën e 11-të të fushatës, kandidatët për kryetarë komunash dhe këshilltarë duhet të dorëzojnë raporte financiare pranë institucioneve kompetente.

Në të gjithë vendin do të votohet në 3.480 qendra votimi. Në 132 prej tyre, ku ka më pak se 10 votues, procesi do të zhvendoset në qendrën më të afërt.

Buxheti i përgjithshëm për zgjedhjet lokale të vitit 2025 është 9 milionë e 760 mijë euro. Dy të tretat e kësaj shume janë të destinuara për media dhe reklama politike, ndërsa pjesa tjetër për kompensimin e anëtarëve të këshillave zgjedhore, transportin dhe shpërndarjen e materialeve.

Zgjedhjet lokale në vend mbahen çdo katër vjet, në gjysmën e dytë të tetorit. Vetëqeverisja lokale është e organizuar në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, i cili ka status të veçantë dhe përfshin 10 komuna me kompetenca të përbashkëta.

Në Maqedoni zgjedhje lokale janë mbajtur në vitet 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021.