Nisi debati plenar për Buxhetin e 2026, Koçoska: Mesazh ekonomik për stabilitet, besim dhe zhvillim

TË FUNDIT

Ka nisur debati plenar në Kuvend për Propozim-buxhetin e plotësuar për vitin 2026, i cili do të zgjasë maksimumi 5 ditë. Opozita me kritika – thonë se buxheti nuk është as social e as zhvillimor, ndërsa pushteti vlerëson se ai siguron rritje, zhvillim dhe standard më të mirë jetese për qytetarët. Në ekspozenë e saj para deputetëve, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska theksoi se në vitin 2026 vazhdon strategjia për rritje të qëndrueshme, shpenzime efikase publike dhe standard më të mirë jetese për qytetarët.

“I kemi respektuar vijat fiskale të parapara dhe obligimet nga strategjia fiskale 2026–2030 me qëllim të qartë që gradualisht të ulim deficitin buxhetor, të stabilizojmë borxhin publik dhe të forcojmë besimin te investitorët vendorë dhe të huaj. Çelësi për këtë është arkëtimi efikas i të hyrave, formalizimi i ekonomisë joformale dhe përdorimi i kujdesshëm, i kontrolluar dhe kursimtar i mjeteve publike. Ky buxhet nuk është vetëm dokument me shifra, por instrument për politika reale, për rritje ekonomike”, tha Gordana Dimitrieska-Koçoska, Ministre e Financave.

Për opozitën ky buxhet nuk është social dhe nuk kujdeset për qytetarët. Thonë se janë ulur buxhetet për kategori shumë të cenueshme dhe se ka shumë pak mjete për investime kapitale.

“Nuk ka rritje të pagave, nuk ka rritje të mjaftueshme të mjeteve që është e nevojshme të shpërblehet puna e punëtorëve në të gjitha kategoritë. Ky buxhet nuk është i përgatitur të përballet me krizë. Nëse vjen çfarëdo krize në shtet, thjesht nuk do të ketë para për asgjë. Veç këtë vit qeveria e përfundon me një gropë me minus prej një miliard eurosh. Ku do t’i gjejnë ato para?!”, tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së .

Nga mbi 200 amendamente të dorëzuara, u pranuan gjashtë. Në buxhetin për vitin e ardhshëm, të ardhurat totale janë projektuar në 6,1 miliardë euro, ndërsa shpenzimet në 6,7 miliardë euro. Deficiti buxhetor planifikohet në 638 milionë euro, ose 3,5 për qind të BPV të planifikuar. Për investime kapitale janë projektuar 658 milionë euro. Pritet rritje e BPV-së prej 3,8 për qind dhe inflacion prej 2,5 për qind.