Nis rregullimi i kanalit në Hasanbeg! Mexhiti: Kjo lagje e ka paguar shtrenjtë, vërshimet në 2016 morën 23 jetë njerëzish

TË FUNDIT

Pas shumë dekadash pritje, nisi rregullimi i kanalit të ujërave atmosferikë në lagjen Hasanbeg të Shkupit.
Për të parë nisjen e punës nga afër në terren dolën zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, kryeparlamentari Afrim Gashi, kryetari i komunës së Gazi Babës dhe zyrtarë të tjerë.
Hasanbegu ka pritur nga qeveritë e kaluara realizimin e këtij projekti që është premtuar e stërpremtuar, por që kurrë nuk u bë, u shpreh Mexhiti.

“Kjo lagje ka paguar shtrenjtë lënien pas dore të këtij projekti. Vërshimet në vitin 2016, morën 23 jetë njerëzish dhe shkaktuan dëme të mëdha materiale. Një ndër arsyet kryesore ishte mungesa e kanalit adekuat. Ky gabim historik tashmë po korrigjohet”, tha Mexhiti.

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi tha se sot aty është më shumë si banor i Hasanbegut sesa si kryeparlamentar.

“Uroj që sa më shpejtë të realizohet. Unë jam i bindur se brenda 6-7 muajve kjo do të realizohet dhe ta gëzojmë të gjithë si qytetarë”, tha Gashi.

Me nisjen e këtij projekti zgjidhet problem i kamotshëm i banorëve të Hasanbegut. Me të jo vetëm që ruhet mjedisi jetësor, por parandalohen edhe vërshimet, u shpreh kryetari i Gazi Babës.

“Kanali është në gjatësi 1275 metra dhe do të mbulohet me sipërfaqe betoni me armaturë dhe shtresë guri. Ky projekt kushton 37 milionë denarë. Mjetet e fazës së parë janë siguruar nga Ministria e Mjedisit jetësor, ndërsa faza e dytë nga Komuna e Gazi Babës”, tha Stevkovski.

Përveç kërkesën për rregullimin e kanalit, banorët e Hasanbegut kërkojnë edhe ndërtimin e një çerdheje për fëmijë. Kryetari i Gazi Babës tha se edhe për këtë mjetet janë siguruar dhe për disa ditë do të nisë procedura për zgjedhjen e kompanisë ndërtuese.