Komuna e Strugës ka vendosur për restrikcione në ndriçimin publik, për shkak të krizës energjetike. Kryetari i Strugës, Ramiz Merko, për TV21 tha se ndriçimi publik do të fiket në orën 23, sepse në të kundërtën nuk do të mund t’i përballojnë faturat e larta.
“Tani ka ardhur për korrikun 8 milionë, për gushtin 10 milionë, kemi filluar me restrikcione kemi vendosur “tajmerë” në të gjitha vend matjet dhe nga ora 23 deri në mëngjes duam që të jenë të shkyçura dritat rrugore kjo do të jetë një masë, nëse eskalon situata ka mundësi edhe më tepër të zgjasë restrikcioni”, tha Ramiz Merko, kryetar i Strugës.
Por ka struganë që nuk pajtohen me këto kufizime të ndriçimit të rrugëve. Thonë se në faturat e tyre mujore paguajnë ndriçimin publik që tash t’u ndërpritet.
“Mos më pyet 800 denarë në muaj për këto dritat rrugore”.
“Nuk është mirë që t’i ndalin, ndriçim duket të ketë popullata shkojnë këndej andej në vizitë, ndriçim duhet të ketë”.
“Ndriçim publik duhet të ketë sepse ne paguajmë, nëse nuk ka ne nuk duhet ta paguajmë edhe taksën sepse njerëzit frikësohen edhe të punojnë, ka qen endacak nuk mund të shkosh”
Restrikcione për ndriçimin publik kanë ndërmarrë edhe disa komuna të tjera, me qëllim që kriza energjetike të kalohet sa më lehtë, sepse tashmë disa herë është paralajmëruar se na pret dimër i vështirë.
