Nis ndërtimi i autostradës Tetovë-Gostivar! Investim prej 90 milionë eurosh si pjesë e Korridorit 8

TË FUNDIT

Filloi ndërtimi i autostradës së re Tetovë-Gostivar, e cila është e gjatë 18 kilometra. Ndërtimi i saj do të kushtojë 90 milionë euro.

Për të parë nisjen e punimeve, në vendngjarje erdhi kryeministri Hristijan Mickoski bashkë me ambasadoren amerikane Angela Ageler. Funksionarët e VLEN-it erdhën të bashkuar, por pa Taravarin. Ky i fundit erdhi me bashkëpartiakët e ASH-së.

Në fjalimin e tij, kryeministri Mickoski theksoi se sot po nis një nga projektet kyçe infrastrukturore në vend dhe si një vend pa dalje në det, kemi potencialin të jemi pjesë e tre korridoreve panevropiane.

“Si shtet jemi të vetmit që kemi potencial të jemi në tre korridoret pan evropiane. I pari është ky që po promovojmë sot këtu, i dyti është korridori i dhjetë që lidh detin Jon dhe Adriatikun me Detin e Zi dhe Korridori i 11 që kalon tek fqinjët tanë lindor. Me një prerje që do lidh korridoret dhjetë dhe njëmbëdhjetë bëhemi vendi që do jetë i lidhur direkt me gjitha detet në këtë pjesë të Europës dhe do të jetë një hallkë e rëndësishme, siç tha ambasadorja e nderuar e kjo është hallka e rëndësishme e fletës jugore të aleancës më të madhe të njerëzimit, NATO-s”, tha Mickoski.

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, tha se kjo nuk është vetëm një rrugë, por një arterie evropiane që lidh Adriatikun me Detin e Zi që siç tha, sjell Evropën në Ballkan dhe Ballkanin në Evropë.

“Sot në vend të fotoaparateve, po gjëmojnë zhurmat e kamionëve dhe ekskavatorëve. Ne nuk xhirojmë spote reklamash por po ndërtojmë të ardhmen, rrugë për popullin. Korridori i tetë është më shumë se një rrugë, është një arterie evropiane që lidh Adriatikun me Detin e Zi, në zemrën e Ballkanit. Vendimi ynë strategjik është i qartë, Maqedonia po ndërton seksionin e saj dhe po sjell Evropën në Ballkan dhe Ballkanin në Evropë. Me fillimin e kësaj autostrade, ne po shndërrojmë Pollogun në udhëkryq të mundësive dhe investimeve, vendeve të punës, shkurtojmë rrugën mes Shkupit, Ohrit dhe Strugës dhe po ofrojmë kufirin e Qafë Thënës me çdo shtëpi tonën dhe çdo ide biznesi që e ka tregu”, deklaroi Mexhiti.

“Hapim front këtë verë në rrugën Tetovë-Gostivar me gjatësi prej 17,5 kilometra, Gostivar-Bojkoçani në gjatësi prej 17 kilometrave dhe Prilep-Manastir 29 kilometra dhe plani që është këtë verë në mënyrë aktive të punohet në autostradat e Korridorit 8 edhe 10d në rreth 65 deri në 67 kilometra”, tha ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.

“Është kënaqësi e madhe që si ambasadore e Amerikës të jemi sot mes jush, sepse edhe të qëndruarit në këtë vend nënkupton progres. Kjo është një nismë e shumë pritur për gjithë ata që kanë pritur këtë projekt me vite. Andaj jam shumë e kënaqur të jemi këtu, sidomos të dëgjoj dhe shoh punët e Xhosh dhe ekipit të tij, Bektel Enkas, Qeverisë se shumë nga këto punë të pritura kanë ndodhur muajve të fundit. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për infrastrukturën dhe ekonominë e këtij vendi dhe rajonit, por paraqet edhe një korridor të rëndësishëm për NATO-n, andaj roli i këtyre rrugëve të rëndësishme nuk mund të nënvlerësohet”, deklaroi Angela Ageler, ambasadore e ShBA-ve në Shkup.

Kjo autostrade pritet të përfundojë deri në vitin 2027. Projekti parashikon dy korsi rrugore dhe një korsi ndihmëse në një drejtim. Ai përfshin gjithashtu nëntë mbikalime, nga të cilat tetë janë për lidhjen e rrugëve lokale me rrugën e re të projektuar paralelisht