Nis festivali ndërkombëtar “Çarshia”! Muzika bashkon kulturat në Shkup

TË FUNDIT

Festivali ndërkombëtar i muzikës “Çarshia” synon të bashkojë muzikën klasike, folklorin dhe ritmet e flamengos në një skenë të vetme, duke krijuar një ngjarje që do t’u trashëgohet brezave. Kështu u shpreh sopranoja Inva Mula gjatë prezantimit të edicionit të parë të festivalit në Shkup.

“Deshëm që ta fillonim, të fusnim disa zhanre të programit  që të ngelet një festival ndërkombëtar jo vetëm i muzikës klasike, sot muzika duhet të jetë shumë demokratike, duhet t’i hapi dyert, duhet që njerëzit t’i afrojmë dhe të mos ketë barriera kulturore, çdo njeri ta gjejë vetveten, duke qenë se kjo çarshia mbledh shumë njerëz të ndryshëm edhe me dëshira të kulturave të tjera”, tha Inva Mula, soprano.

Sopranoja Dëshira Ahmeti bëri të ditur se nata e parë do të hapet me një trio artistësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Franca, duke shprehur besimin se festivali do të shndërrohet në një traditë kulturore.

“Do të fillojmë me një trio sonte që vijnë nga Shtetet e Bashkuara nga Italia dhe nga Franca. Shpresojmë që publiku do ta shijon dhe misioni jonë dhe emri im si Dëshira ashtu siç thonë se emrat kanë kuptim nuk do të ndalet me dëshirat që kam për të bërë gjëra të bukura”, pohoi Deshira Ahmeti, soprano.

Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, tha se qëllimi është që festivali të rritet çdo vit, si në cilësi ashtu edhe në përmbajtje.

“Përzgjedhja e këtyre hapësirave nuk është e rastësishme Çarshia e Vjetër ka qenë gjithmonë një vendtakim i kulturave, njerëzve dhe historisë. Pikërisht për këtë arsye besojmë se është vendi i duhur që edhe arti të merr një rol më të madh në jetën publike dhe të krijojë një lidhje të natyrshme në mes trashëgimisë sonë dhe krijimtarisë bashkëkohore”, tha Izet Mexhiti, kryetar i komunës së Çairit.

Ministri i Kulturës, Sadat Sulejmani, u shpreh se festivali do të jetë urë lidhëse mes kulturës tradicionale dhe asaj bashkëkohore.

“Unë si ministër i kulturës do të jem gjithmonë në përkrahje të iniciativave të kësaj natyre dhe shpresoj që gjithmonë në mënyrë të përbashkët do të korrim suksese të mëdha”, pohoi Sadat Sulejmani, ministër i kulturës.

Prej sot, 23 korrik e deri më 26 korrik mbahet edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar të muzikës “Çarshia” që zhvillohet në Sulian dhe Kurshumlian ku do të ketë artistë vendorë dhe ndërkombëtarë.