Nikolloski: Nga 1 maji nis linja ajrore Tivat-Shkup

TË FUNDIT

Nga 1 maji do të nisë linja ajrore Tivat–Shkup, e cila fillimisht do të operojë dy herë në javë, përcjell TV21. Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, kjo linjë do të ndikojë jo vetëm në rritjen e numrit të udhëtarëve, por edhe në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë.

“Ajo që diskutuam para 20 ditësh gjatë vizitës sonë në Mal të Zi, tashmë po realizohet. Shpresoj që kjo linjë ajrore të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e numrit të udhëtarëve, por edhe të turizmit dhe biznesit. Shpresoj që shumë njerëz ta shfrytëzojnë këtë linjë”, tha Nikolloski në konferencën e përbashkët për media me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Filip Ivanoviq.

Në takim, dy zëvendëskryeministrat diskutuan edhe për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ranë dakord që vitin e ardhshëm të organizojnë një forum të madh biznesi, ku do të marrin pjesë kompani nga të dyja vendet.