Ngritet padia e parë penale ndaj një zjarrvënësi, zjarre aktive në Saraj, Demir Kapi dhe Dibër

TË FUNDIT

Një banor 60-vjeçar nga Dibra është personi i parë i cili këtë verë do të përgjigjet për zjarrvënie.

“Dje deri te Prokuroria Themelore është ngritur padia e parë penale sipas nenit 227 të Kodit Penal për shkaktim të zjarrit pyjor këtë verë”, deklaroi Suzana Pranjiq, zëdhënëse e MPB-së.

I dyshuari, më 8 gusht në orët e pasdites, i ka vënë zjarrin një are në një fshat të Dibrës, pas çka flakët janë përhapur dhe kanë kapluar pyllin në sipërfaqe prej 100 metrave katrorë.

“Në periudhën në fjalë, në koordinim me prokurorin publik janë arrestuar, gjegjësisht janë privuar nga liria 24 persona, kurse 18 të tjerë janë thirrur në stacion për bisedë zyrtare. Në mënyrë shtesë, janë regjistruar edhe 3 persona për shkak të dyshimit se kanë shkaktuar zjarr”, tha më tej ajo.

Janë ngritur edhe dy padi penale sipas nenit 288 për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm në Prilep dhe Strumicë, kurse MPB-ja evidenton edhe padi kundërvajtëse në Dibër dhe Shtip.

Tani për tani janë tre zjarre aktive në të gjithë vendin edhe atë: në fshatrat Raoviç dhe Bukoviç – komuna e Sarajit, pastaj mes fshatrave Barovë dhe Veshje në komunën e Demir Kapisë dhe në fshatin Molniçani i Epërm në Dibër.

“Dje pasdite sërish shpërtheu zjarri te fshati Raoviç, komuna e Sarajit dhe në një moment kishte 10 vatra në linjë prej 2 kilometrave dhe një vatër të veçantë në 5-6 km larg vatrave të tjera. Sot në mëngjes, vërehet tymi i zjarrit në më shumë vende me mundësi për rindezje. Zjarri në fjalë shtrihet nga fshati Bukoviç drejt fshatrave Çajlanë dhe Matkë”, tha Nadica Vëçkova, zëdhënëse e Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Në terren ndërhyjnë edhe pjesëtarët e MPB-së, por edhe disa ekspertë nga Franca për shuarje të zjarreve. Zjarri mes fshatit Barovë dhe Veshje ende është aktiv dhe është përhapur drejt Vitaçevës dhe fshatit Stragovë në Kavadar. Është duke djegur bar të thatë dhe pyll, kurse terreni është i paqasshëm. Në Barovë operojnë rreth 60 pjesëtarë të policisë bashkë me armatën, kurse aktiv është edhe zjarri në fshatin Molniçani i Epërm, Qendër Zhupë.