Letrat higjienike, pelenat për të rritur dhe fëmijë, pecetat e lagura dhe vatat higjienike do të pësojnë 13% ulje nga çmimet që kanë qenë në treg me pakicë më 20 mars e më pas edhe do të ngrijnë.
Vendimet për ngrirje të çmimeve hasin në kritika të ashpra nga sektori privat. Drejtori i Odës Ekonomike Antoni Peshev thekson se këto masa janë të dëmshme ndërsa shprehet se zgjidhje më e drejtë do të ishte subvencionimi i qytetarëve.
“Të mos shkojmë me mekanizmin e ngrirjes së çmimeve por me subvencionimin e atyre grupeve të qytetarëve që me të vërtetë kanë nevojë për shkak se ngrirja e çmimeve i vendos kompanitë çmimet e produkteve të të cilave janë ngrirë në pozitë të pavolitshme ekonomike. Dhe kjo masë përfundimisht nuk mund të zgjasë shumë dhe pas përfundimit të masave përsëri do ta kemi problemin me rritjen e çmimeve”, u shpreh Peshev.
Por nga qeveria bëjnë të ditur se këto masa do të jenë në fuqi deri sa të ketë nevojë, ndërsa sigurojnë se nuk ekziston rrezik që të ketë rritje të çmimeve pas heqjes së tyre.
Sa i përket gjetjes së një zgjidhjeje sistematike thonë se janë të gatshëm të bëjnë të gjitha ndryshimet ligjore sipas të cilave do të ulet përqindja e TVSH-së dhe tatimet doganore gjë e cila do të ndikonte gjithashtu në uljen e çmimeve.
