Një grua australiane ka sjellë në jetë katër vajza identike, të konceptuara natyrshëm, pas një shtatzënie që Spitali Mbretëror i Brisbane-it për Gratë e përshkroi si “jashtëzakonisht me rrezik të lartë”, përcjell TV21. Katër foshnjat u lindën me prerje cezariane më 14 korrik, në javën e 28-të e katër ditë të shtatzënisë. Ato janë katërnjakë monozigotikë, një fenomen tepër i rrallë, ku një vezë e vetme e fekonduar ndahet në katër embrione, shkruan BBC.
Nëna 34-vjeçare, Jenitar Na’amoana, dhe bashkëshorti i saj Jortham, të cilët tashmë kishin katër fëmijë, mbetën të habitur kur mësuan se prisnin katërnjakë.
Mjekja Alexa Bendall, specialiste e mjekësisë fetale dhe obstetrike, tha se katërnjakët identikë ndodhin mesatarisht në një në 15 milionë shtatzëni, ndërsa fakti që të katër ndanin të njëjtën placentë është diçka e paprecedentë.
Për shkak të rrezikut të lartë, nëna u shtrua në spital në javën e 25-të për monitorim të vazhdueshëm.
“Ne gjithmonë thoshim se nëse arrinim në javën e 28-të, do të ishte një sukses. Fakti që tani kemi katër foshnja të bukura dhe të shëndetshme, të lindura në javën e 28-të e katër ditë, është i jashtëzakonshëm”, tha Bendall.
Ajo shtoi se nëna e përballoi shtatzëninë me qetësi dhe arriti të shmangte të gjitha ndërlikimet serioze, si për veten ashtu edhe për foshnjat.
Katër vajzat janë pagëzuar Emily, Harriet, Catherine dhe Alexa, kjo e fundit në nder të mjekes që kujdesej për shtatzëninë.
Foshnjat do të qëndrojnë në njësinë e kujdesit intensiv neonatal derisa të arrijnë zhvillimin e plotë, ndërsa mjekët bëjnë të ditur se aktualisht gjendja e tyre është shumë e mirë.
Çifti ka edhe katër fëmijë të tjerë, të moshës nga një deri në dhjetë vjeç. Pas lindjes së katërnjakëve, nëna ka nisur një fushatë online për mbledhjen e fondeve, me qëllim blerjen e një furgoni me të paktën 10 vende. Deri tani janë mbledhur mbi 37 mijë dollarë australianë.
Në mesazhin e saj, ajo shkroi:
“Katër mrekullitë tona të çmuara kanë ardhur në jetë të sigurta. Zemrat tona janë plot mirënjohje, por kujdesi për katër të porsalindura njëkohësisht ka sjellë sfida që nuk i kishim imagjinuar kurrë.”
Mjekët vlerësojnë se lindjet natyrale të katërnjakëve janë jashtëzakonisht të rralla, me një probabilitet prej rreth një në 700 mijë lindje.

