Ngërçi ligjor lë pa paga 17 punonjës! Inspektorët e gjuhëve kërkojnë zgjidhje urgjente

TË FUNDIT

Rroga nuk është privilegj, por e drejtë e garantuar me kushtetutë – u shprehën inspektorët e Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve, të cilët tashmë gjashtë muaj nuk kanë marrë paga. Ata kërkojnë nga qeveria ta zgjidhin problemin dhe t’u kompensohen pagat e prapambetura.

“Përveç kësaj kemi mbetur edhe pa sigurim shëndetësor dhe pensional, që e keqëson sigurinë tonë dhe të familjeve tona. Kjo gjendje na shpie në një pasiguri sociale, në lufte ekzistenciale si dhe në zhvlerësim absolut të punës dhe dinjitetit të nëpunësit. Ne jemi njerëz të cilët çdo ditë punojmë, japim rezultate si dhe lëvizim sistemin përpara”, tha Fitim Ramadani – Inspektor.

Në inspektorat të punësuar janë 17 inspektorë, të cilët shprehën pakënaqësinë dhe thanë se u kanë dërguar letra zyrtare të gjitha institucioneve relevante por nuk kanë marrë përgjigje. Ata u ankuan edhe për mungesë të kushteve për punë, ku thanë se nuk kanë automjete për në terren dhe shfrytëzojnë makinat private.

“Realisht ne si të punësuar deri në muajin mars kemi funksionuar normal dhe kemi pas plan për inspektimin, pastaj filloi edhe tërheqja jonë si mekanizëm që kjo çështje të zgjidhet, por realisht ne jemi në punë çdo ditë. Realisht ne si inspektorë nuk kemi automjet në përdorim. E kemi një automjet por ai është në shfrytëzim të drejtorit”, shtoi Fitim Ramadani – Inspektor.

Krejt kjo ka ndodhur për shkak të problemit të krijuar me ndryshimet e Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese dhe nevojën për harmonizim me Ligjin për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore.

“Vetëm tek Inspektorati i gjuhëve kemi pas dilemën që a duhet të jetë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë apo të shkojë në kuadër të Agjencisë së Gjuhëve, kjo dilemë ka marrë pak kohë, tani është në procedurë në Parlament. I ftoj të gjithë deputetët shqiptarë që përpara se ta keqpërdorin si temë politike, ta votojnë ligjin dhe t’i marrin pagat sa më shpejt punëtorët në Inspektorat”, tha Izet Mexhiti, zv/kryeministër.

Në vitin 2024, hyri në fuqi një ndryshim në Ligjin për Mbikëqyrje Inspektuese, i cili ndryshoi statusin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Më pare ishte institucion më vete, me status juridik të pavarur, me buxhet të vetin dhe kompetenca të plota për të vepruar, e tani është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Ndryshimet ligjore me të cilat, parashikohet heqja e statusit juridik të Inspektoratit kanë ngecur në Kuvend, pas kalimit të filtrit të komisioneve. Arsyeja, është se shumica parlamentare nuk ka Badenter.