Pas 13 vitesh punime më në fund u hapën 20 km e para të autostradës Kërçovë-Ohër.
Tash e tutje, nga fshati Vërbjan e deri në Ohër qytetarët do të lëvizin nëpër autostradën e re.
Kryeministri Hristijan Mickoski premtoi se viti i ardhshëm do të jetë viti kur kjo autostradë do të lëshohet në përdorim në tërësi.
“Shtatë vite zgjati pritja, premtimet, humbja e kohës, para dhe nerva të qytetarëve, shtatë vite pronësi të pa pastruara, projekte të ndryshuara, institucione jo funksionale dhe punë jo mirë të kryera. Sot vetëm një vit pasi fituam besimin e qytetarëve tregojmë se çfarë do të thotë punë e vërtetë me vepra, jo me fjalë, çdo metër e kësaj autostrade është bërë me punë të përshpejtuar por edhe më vullnet të qartë për përparim, vullnet për tu dhënë fund mossukseseve të së kaluarës”, tha Mickoski.
U theksua rëndësia që ka kjo autostradë lëvizjen më të lehtë të qytetarëve, për zhvillimin e turizmit në Strugë, Ohër dhe përgjithësisht rajonin jugperëndimor, por po ashtu edhe lidhja me Shqipërinë, pasi autostrada është pjesë e Korridorit 8.
“Kënaqësi e madhe të shohim në realitet 20km e para se di mund t’i përdorin qytetarët jo vetëm të këtyre vendbanimeve por të gjithë Maqedonisë. Më shpejt udhëtohet deri në Tetovë, deri në Gostivar, edhe deri në Shkup. Të lidhet Maqedonia me Shqipërinë dhe të hapen qendrat e mëdha turistike Ohër dhe Strugë për të gjithë ata që duan t’i vizitojnë”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit.
“Ky nuk është vetëm një projekt i përfunduar, por është një hap i madh në përfundimin e një prej korridoreve më të rëndësishme të vendit tonë, Korridorit 8, që e lidh Maqedoninë e Veriut me vendet fqinje dhe e pozicionon vendin tonë si një urë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit”, tha Kaltrina Zekolli-Shaqiri, zëvendësministre e Transportit.
Drejtori i “Rrugëve Shtetërore” tha se në përfundim e sipër janë edhe shumë projekte të tjera.
“Dikush mund të thotë “stolisemi me puplat e të tjerëve” por unë do të thosha faleminderit të gjithë atyre që punuan deri në vitin 2024, me ardhjen e qeverisë së re VMRO, VLEN dhe ZNAM. Por nëse ne do të punonim me ritmin me të cilën punuat ju 7 vitet e kaluara, ndoshta për 7 ose 11 vite do ta lëshonim këtë rrugë në përdorim”, tha Koce Trajanovski, drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.
Tani mbeten për t’u hapur edhe 37 km të pjesës nga Kërçova, teren i cili ka ura dhe tunele dhe kalon kryesisht nëpër pjesën malore. Në total autostrada është e gjatë 57 kilometra. Ndërtimi filloi në vitin 2014, ndërsa deri më tani janë kaluar disa afate të përfundimit. Premtimi fundit është viti 2026, kur kjo rrugë duhet të jetë përfunduar plotësisht.