Samiti për Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Slloveni, jo vetëm që nuk solli asgjë të re sa i takon nisjes së negociatave të Maqedonisë me BE, por vendosi edhe kushte të reja. Bullgaria kërkon që të nënshkruhet Protokoll i ri në të cilin janë përfshirë 5 pika plus 1. Njëra prej kërkesave është që bullgarët të futen në Kushtetutën e Maqedonisë, kërkesë e cila, siç tha Radevi ka të bëjë me të vërtetën historike, që do të thoshte heqje dorë nga historia maqedonase. Kryeministri Zoran Zaev thotë se historia nuk do të ndryshohet.
“Absolutisht, askush nuk e kërkon këtë, as nuk duhet, e as nuk do të diskutohet tema për ndryshim të historisë apo diçka të ngjashme. Historia është fakt i pamohueshëm. Pesë pikat plus një. Njëra ka të bëjë me pritshmëritë e tyre gjatë periudhës që vijon, gjegjësisht pritshmëritë e Republikës së Bullgarisë që në periudhën para nesh bullgarët si bashkësi etnike të hyjnë në Kushtetutën tonë, respektivisht të përmenden në Kushtetutën tonë”, deklaroi Zaev.
Për këtë foli edhe ministri Osmani, i cili tha se këto janë çështje tashmë të njohura, siç janë: emri i shkurtër i vendit, puna e Komisionit Historik dhe gjuha e urrejtjes. Mes të tjerësh kërkohet edhe mospërzierje në punët e brendshme të Bullgarisë që nënkupton të mos kërkohet njohje e ekzistencës së pakicës kombëtare maqedonase, por nga ana tjetër kërkohet edhe përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë. Megjithatë, përmbushja e këtyre kërkesave do të varet nga ajo nëse Bullgaria do ta zhbllokojë vendin tonë dhe nëse merret vendim për start të negociatave.
“Unë mendoj se kërkesa për futjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë nuk është kundër interesave tona. Për shkak se mendoj se Bullgaria lëvizi nga pozita e parë nacionale për një popull në dy shtete. Nuk do të kishte përgjigje nëse nuk ka vendim për dritë jeshile”, u shpreh Osmani.
Por a është e mundur që Maqedonia të kërkojë reciprocitet, përkatësisht pranim të pakicës maqedonase në Bullgarinë. Osmani thotë se Kushtetuta e Bullgarisë është pozicionuar ndryshe.
“Republika e Bullgarisë sipas Kushtetutës së saj nuk njeh, për dallim nga ne, organizim të qytetarëve në bazë të përkatësisë së tyre etnike. Kjo do të thotë se nuk ka as komunitet turk, as ndonjë tjetër komunitet për shkak se rregullimi kushtetues parashikon se ata nuk njohin organizim në bazë etnike për dallim nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë e cila njeh organizim në bazë etnike , andaj ky reciprocitet nuk është i mundur”, shtoi Osmani.
Pas takimeve të djeshme të mbyllura të Zaevit me Radev, Makron dhe Merkel, nuk ka shumë informacione se për çfarë janë marrë vesh. Pas këtij takimi, Merkel tha se nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë për çështjet e hapura mes Bullgarisë dhe Maqedonisë. Zaev megjithatë thotë se ka përpjekje nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.
“Asnjëherë nuk i kam parë me kaq këmbëngulje ta mbrojnë dhe të luftojnë për BE-në. Për shkak se BE-ja duhet t’i plotësojë premtimet. Deklarata që u miratua dje paraqet mirënjohje. Me të vërtetë është precize, flet për zgjerim me të gjitha detajet. Por kjo deklaratë precize të cilën dje e miratoi Këshilli evropian në Samitin për Ballkanin perëndimor vetëm në letër, nuk ka rëndësi për ne si Maqedonia e Veriut e as për Shqipërinë, besoj se as për vendet e Ballkanit perëndimor”, tha më tej Zaev.
Pas takimit të djeshëm në Samitin në Bërdo, Kranj, Zaev në deklaratë për mediat tha se kërkesat e Bullgarisë që i prezantoi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev janë të papranueshme dhe ofenduese për qytetarët maqedonas.
