Kryeministri Zoran Zaev pajtohet me idenë e Kryeparlamentarit Talat Xhaferi që “fshesën” secili ta nisë nga oborri i vet.
“Ashtu është! Gjithnjë unë mund të flas për pjesën e kompetencave të mija. Para së gjithash unë jam Kryetar i Qeverisë dhe përgjegjësinë time e ndjej në pjesën e kompetencave të mija, kështu që flas për Qeverinë dhe institucionet qeveritare, siç flas edhe për partinë time politike brenda së cilës duhet të bëjmë disa ndryshime”, theksoi Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Dy ditë më parë në “Klik Plus” kryeparlamentari Xhaferi, propozoi që Zaev “fshesën” e paralajmëruar për kabinetin qeveritar ta nisë nga oborri i tij, duke e lidhur këtë edhe me rezultatet e rrethit të parë të presidencialeve.
“Tek shtëpia kur i pastroni punët tuaja, më parë niseni prej oborrit tuaj. Në kontestin e ç’kahit duhet të bën fshesën, të rezultateve! Rezultatet ulët dalin. Prandaj them oborrin me pastru paraprakisht. Oborrin me pastruar. Ma konkret. Unë nuk e kam bo analizën se si ka kaluar, kandidati i koalicionit në Strumicë dhe si ka kaluar kandidati i opozitës në Strumicë. Jo në Strumicë, po them oborrin. Metafora është se ka humbur vota në bllokun maqedonas. E dyta, Komuna e Haraçinës është komunë që udhëhiqet nga partia e kryeministrit. Çka e kanë penguar partneri i koalicionit ose partnerët e koalicionit shqiptarë, çka e kanë penguar në komunën e Haraçinës”, potencoi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Punën e “fshesës” kryeministri Zaev e paralajmëroi menjëherë pas rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale duke thënë se do të ketë ndryshime të zyrtarëve, si rezultat i pakënaqësisë qytetare, e treguar me daljen e ulët në zgjedhje. Po ashtu pas rrethit të parë, zëvendëskryeministri Buajr Osmani i pyetur nëse presin ndryshime të funksionarëve të BDI-së tha se ky do të jetë vendim i kryetarit Ali Ahmeti.
Përgatiti: Besir Arifi
