Nga nesër, pagesat në euro me vendet nga Zona e Vetme për Pagesa në Euro – SEPA do të jenë rreth 6 herë më të lira dhe më të shpejta, përcjell TV21. Kështu, një pagesë prej 500 eurosh, e cila deri tani kushtonte rreth 1.600 denarë, nga nesër qytetarëve do t’u kushtojë rreth 260 denarë. Për prurjet në euro të të njëjtës shumë, qytetarët do të paguajnë mesatarisht dy herë më pak, përkatësisht 140 kundrejt 280 denarëve.
Gjithashtu zvogëlohen edhe shpenzimet e kompanive ndaj bankave. Banka Popullore njoftoi se nëntë banka janë tashmë plotësisht të përgatitura që nga nesër të fillojnë me kryerjen e pagesave në SEPA. Përndryshe, më 6 mars të këtij viti, Këshilli Evropian për Pagesa e pranoi aplikimin e vendit tonë, me çka u bëmë anëtarë të SEPA-s. Me këtë, për qytetarët dhe kompanitë ulen kostot e pagesave në euro me 40 vendet anëtare. Me këtë procesi bëhet edhe më i shpejtë./tv21.tv