Nga Maqedonia, ministre në Slloveni! Emilija Stojmenova-Duh rrëfen historinë e suksesit të saj

TË FUNDIT

Pas përfundimit të vitit të dytë në Gjimnazin Matematiko-Natyror në Vinicë, Emilija Stojmenova shpërngulet në Maribor të Sllovenisë. Nga Agjencia për zhvillim të kuadrove në Slloveni, merr bursë për programin – maturë ndërkombëtare në gjimnazin e Mariborit ku e përfundon arsimin e mesëm. Studimet për inxhinieri elektrike i kryen në Maribor si studente më e mirë. Emilija është doktor shkencash dhe asistente në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Lubjanë. Tani është ministre në Qeverinë e re sllovene e udhëhequr nga Robert Gollob. Por, cila është arsyeja e cila e ka inkurajuar që ta braktisë Maqedoninë?

“Mbi të gjitha desha të shkoj diku ku nuk do të ketë rëndësi se kush janë prindërit e mi, nga çfarë familje vij dhe kush jam. Ku do të ketë rëndësi vetëm çfarë di dhe ta afirmoj veten. Ai program mu duk interesante dhe aplikova për bursë. Isha përzgjedhur dhe kështu filloi gjithçka”- deklaroi Emilija Stojmenova-Duh, ministre e digjitalizimit në qeverinë e Sllovenisë.

Ajo thotë se funksioni që e ushtron nuk është shpërblim për angazhimet e saj politik, por si nevojë për kuadro profesionale.

“Me politikë nuk jam marrë për shkak se jam ekspert në fushën e teknologjive digjitale. Vitet e kaluara në Slloveni kishim situatë shumë të keqe politike dhe në atë kohë, e gjithë shoqëria civile u përpoqëm, secili me kontributin e vet t’i ndihmojmë shtetit. Unë edhe në të kaluarën kam bashkëpunuar me politikanë të ndryshëm nga parti të ndryshme politike në sferën e teknologjive digjitale. Për shkak të situatës së këtillë, iu bashkëngjita një partie politike, megjithatë menjëherë pas zgjedhjeve dola prej atje. Kryeministri i ri Golob i cili po ashtu është profesor në fakultetin ku punoj edhe unë, më ftoi në Qeveri në bazë të diturive dhe kompetencave të mia”- pohoi Emilija Stojmenova.

Ajo është themeluese e rrjetit Fabi ab Slovenia dhe drejtoreshë e Digital Innovation Hub (DIH) Slovenia. Po ashtu është aktive në iniciativën për “fshatra të mençur”, e përkrahur nga Komisioni evropian dhe Parlamenti evropian. Stojmenova-Duh e përfaqëson Slloveninë në projektin multi-religjioz të Stejt Departamentit i cili zgjidhi 50 gra nga e gjithë bota, të cilat janë në pozita të rëndësishme në shkencën, teknologjinë dhe matematikën.

“Duke marrë parasysh se në Vinicë nuk i kisha të gjitha mundësitë si dikush që është lindur dhe ka jetuar në Shkup, Manastir, Ohër, desha të dëshmoja se edhe qytetet më të vogla kanë potencial për jetë cilësore. Gjithmonë idetë vijnë nga nevojat personale. Edhe këtu në Slloveni bashkëpunuam me zonat rurale të shtetit për shkak se kuptuam se ende nuk kanë internet dhe së bashku me Ministrinë për Administratë Publike u mundësuam që edhe fshatrat të kenë internet. Deshëm që këtë internet ta shfrytëzojmë për disa shërbime që do të jenë në interes të banorëve”- shtoi Emilija Stojmenova.

Kjo nënkupton modernizim të bujqësisë, ruajtje të ambientit jetësor, produkte më të mira, diçka që i duhet edhe Maqedonisë, thotë Emilija. Ajo është e mahnitur nga potenciali i studentëve të Maqedonisë që studiojnë në Slloveni.