Nga ligat rajonale në Evropë, Struga Trim Lum si “furi” në skenën e futbollit

TË FUNDIT

Klubi i futbollit Struga Trim Lum u formua vetëm para 6 vjetëve. 

Stërvitjen e këtij ekipi nuk e ndalon as shiu.

Me punë, mund dhe vullnet ekipi strugan në mënyrë rapide u ngjit në ligën e parë.

Si çdo ekip profesional stërvitet dy herë në ditë.

Me angazhim profesional, ky ekip sezonin e kaluar arriti të kualifikohet në pozitën e tretë në Tabelën e Klasifikimit të Ligës së parë, duke siguruar kështu plasman për në garat evropian, që për ekipin ishte sukses historik.

Trajneri Sërgjan Zaharievski tha se janë stërvitur dhe kanë punuar fortë për të arritur këtu ku janë.

 “Dolëm në Evropë, dhe mendoj se për atë duhej shumë punë dhe përkushtim nga këta djem. Në çfarë do lloj kushtesh, shihni sot është verë ndërsa kushtet janë sikur të jemi në vjeshtë apo dimër. Kështu që i gjithë ekipi luajti mirë, luajtën si burra dhe mendoj se me meritë arritëm në Evropë”, u shpreh Sergjan Zaharievski – trajner i “Struga Trim Lum”.

Futbollisti Bunjamin Shabani tha se ekipi është i ri, por ambiciet janë të mëdha. 

 “Është një ekip i ri por me ambicie të mëdha, ekipi është i organizuar shumë mirë, këtë po e dëshmojmë edhe me vitin e dytë në Ligën e parë, marrim pjesë në garat Evropiane dhe besoj për ne kjo ndeshje po të kualifikohemi do të jetë një sukses i madh”, tha Bunjamin Shabani – futbollist.

Futbolli është i shtrenjtë, andaj  Drejtori i Klubit Besart Isaku thotë se kanë harxhime vjetore prej gjysmë milion eurosh.

 “Ne ishim ekip i ri që nuk kishim as stadium as financa. Pastaj kur formuam klubin gjetëm edhe donatorin tonë që të mbështesë klubin. Normal nuk është  e lehtë të jesh klub profesionist, kushton afër gjysmë milioni euro në vit”, shtoi Besart Isaku – drejtor i Klubit.

Në ndeshjen e parë në Evropë, Struga u përballë me FC Llipeja nga Letonia, ku në terren mysafirë arritën të nxjerrin rezultat pozitiv 1-1.  Ndeshjen kthyese struganët do të zhvillojnë të enjten në Shkup, në stadiumin Todor Proeski, me fillim në ora 17:00.