Nga korriku mësimdhënësit marrin paga 12% më të larta! Sot vendoset nëse prej nesër nxënësit do të kthehen në shkolla

TË FUNDIT

3 orë e më shumë bisedime për rritjen e pagave të mësimdhënësve! Në fund pe lëshoi pak Qeveria e pak Sindikata për Arsim dhe Shkencë. Kreu i SAShK, Jakim Nedellkov pas takimit u shpreh se bisedimet ishin të vështira dhe të mundimshme. Marrëveshja është që pagat e mësimdhënësve të rriten për 12%. Pagat e reja punonjësit e arsimit do t’i marrin nga muaji korrik, pas përfundimit të rebalancit të buxhetit.

 “Përveç kësaj çështje, janë hapur dhe dakorduar tjera çështje, siç është harmonizimi, gjegjësisht përpilimin e marrëveshjeve kolektive, për mbrojtën e fëmijëve, në arsimin fillor dhe të mesëm, disa çështje të hapura që ishin me të punësuarit me kontratat e përkohshme në çerdhe, harxhimet e rrugës në arsimin fillor dhe të mesëm, regresi për pushim vjetor që do të rregullohet me marrëveshjen kolektive të përgjithshme”, deklaroi Jakim Nedellkov, kryetar i SAShK.

Ministri i Arsimit dhe ajo për Punë e Politikë Sociale, Jeton Shaqiri dhe Jovanka Trençevska, presin që nga nesër shkollat dhe kopshtet të fillojnë të funksionojnë normalisht.

 “Kjo marrëveshje është në të mirën e të gjitha palëve dhe grupeve të interesit, duke filluar nga nxënësit të cilët janë në arsim fillorë dhe të mesëm ashtu edhe ato të cilët duhet të kyçen nëpër çerdhe”, tha Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

“Pres që nga e mërkura edhe shkollat edhe çerdhet do të fillojnë të funksionojnë normalisht. Fëmijët do të kthehen në çerdhe, nxënësit do të kthehen në procesin e mësimit, ndërsa prindërit do të kthehen nëpër punë sepse aty e kanë vendin“, deklaroi Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri nuk tregoi se sa mjete do të ndahen nga buxheti për t’i rritur pagat e mësimdhënësve. U shpreh i kënaqur me marrëveshjen e arritur, ndërsa ministrja Trençevska tha se me rritjen e 12% të pagave të mësimdhënësve nuk do të rrezikohet rritja shtesë e inflacionit. Fjalën e fundit për grevën, SAShK-u do ta thotë sot në mbrëmje pas konsultimeve me anëtarësinë dhe nëse ka dritë jeshile, nxënësit që nesër do të mund të kthehen në mësim.