NGA KIRO GLIGOROVI DERI TE GJORGE IVANOVI, ÇKA SHËNOHET NË MANDATET E PRESIDENTËVE TË KALUAR?

TË FUNDIT

https://youtu.be/oCJj8_tFU6E

Presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë, Kiro Gligorov u zgjodh më 27 janar të vitit 1991 nga ana e Kuvendit, pasi mori mbështetjen e 114 prej gjithsej 119 deputetëve të pranishëm, kurse për të dytën herë ishte zgjedhur në zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale të mbajtura në tetor të vitit 1994. Nën udhëheqësinë e tij, Maqedonia shpalli pavarësi dhe u bë vendi i vetëm nga ish-Jugosllavia që u shkëput përmes rrugës paqësore. Në vitin 1993, Maqedonia u anëtarësua në Kombet e Bashkuara. Më 3 tetor të 1995-tës mbi presidentin Gligorov u bë atentat. Ai mbijetoi, por me lëndime të rënda në pjesën e kokës. Deri më tani nuk janë gjetur as porositësit, e as autorët e këtij atentati. Kiro Gligorov ishte funksionari më i moshuar politik maqedonas. Më 19 nëntor të 1999-tës kur i skadoi mandati i dytë presidencial, ai kishte 82 vjet, kurse në vitin 2000, Libri i rekordeve të Ginisit e regjistroi Gligorovin si presidentin më të moshuar në botë. Presidenti Gligorov ndërroi jetë më 1 janar të vitit 2012 në shtëpinë e tij në Shkup.

Boris Trajkovski  e ushtronte funksionin e Presidentit të RM-së prej 15 dhjetorit të vitit 1999 deri më 26 shkurt të vitit 2004, kur humbi jetën tragjikisht në një fatkeqësi ajrore bashkë me tetë bashkëpunëtorët e tij në afërsi të Mostarit, Bosnjë e Hercegovinë. Ai ishte në moshën 47 vjeçare. Hetimi ka treguar se arsyeja e fatkeqësisë ishte gabimi i pilotit. Gjatë mandatit të tij në Maqedoni, në vitin 2001 kishte konflikt të armatosur. Në gusht të të njëjtit vit ishte nënshkruar edhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Bota, në Presidentin Trajkovski shikonte një lider të ri me orientim properëndimor, si paqedashës i cili evitoi luftë civile në Maqedoni.

Branko Cërvenkovski, Presidenti i tretë i RM-së (2004-2009)
Branko Cërvenkovski ishte Presidenti i tretë i Republikës së Maqedonisë. Në zgjedhjet e treta të jashtëzakonshme presidenciale, që u mbajtën pas vdekjes së Presidentit Boris Trajkovski, në raundin e dytë më 28 prill të vitit 2004, Branko Cërvenkovski ishte zgjedhur shef i shtetit. Në këtë funksion ka qenë deri në 2009-tën. Gjatë mandatit të tij presidencial, Republika e Maqedonisë u bë vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në Samitin e NATO-s që u mbajt në Bukuresht në vitin 2008, Maqedonia nuk u anëtarësua në Aleancë, edhe pse të gjithë kishin pritur një gjë të tillë.

Gjorge Ivanov është Presidenti i katërt i shtetit, kurse ishte zgjedhur në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 22 mars dhe 5 prill të vitit 2009. Në zgjedhjet e pesta presidenciale që u mbajtën në prill të vitit 2014, Presidenti Ivanov si kandidat i VMRO-DPMNE-së, sërish u zgjodh dhe mori mandat të ri pesëvjeçar. Vitin e fundit të mandatit të dytë të Gjorge Ivanovit, mes të tjerash, do ta shënojë mosnënshkrimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe i Dekretit për Ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, si dhe nënshkrimi i Ligjit për amnisti për të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 në Kuvendin e RM-së.

Përgatiti: Edin Rastoder