Prokuroria kërkon që Policia e Kosovës ta vendosë Jozefin Markun në “stop-listë”

TË FUNDIT

Këngëtari Jozefin Marku është vendosur në listën e personave që do të ndalohen nga Policia e Kosovës në momentin e parë që do të haset në territorin e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Pejë për Kallxo. Vendimi është marrë lidhur me disa pamje të publikuara në media të ndryshme online, në të cilat Marku dyshohet se, së bashku me disa persona të tjerë, grushton dhe rreh shtetasin e Kosovës, Eduard Kuçi, derisa ky i fundit ndodhej në Shqipëri.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se fillimisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë, ka hapur rast ndaj Markut, shtetas i Shqipërisë, për veprën penale të “lëndimit të lehtë trupor”.

“Prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit dhe vendosjen në stop-listë të të dyshuarit, si dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tij”, ka thënë Nikçi.

Sipas Nikçit, veprimet janë ndërmarrë bazuar në nenin 109 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili zbatohet ndaj personave të huaj që kanë kryer vepër penale jashtë territorit të Republikës së Kosovës ndaj një shtetasi të saj.

Në disa video-incizime të publikuara në rrjetet sociale shihet se si Eduard Kuçi ndalohet nga Marku dhe disa persona të tjerë. Sipas pamjeve, në momentin që Kuçi del nga vetura, ai sulmohet menjëherë me grushte nga Marku dhe një person tjetër.