Në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës është diskutuar për Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, ku një nga vendimet kryesore ka qenë rritja e pensioneve bazike.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se pensioni minimal do të rritet nga 120 në 150 euro, duke filluar nga muaji nëntor, që nis nesër.
Sipas tij, kjo masë do të prekë rreth 200 mijë pensionistë në kategori të ndryshme, përfshirë pensionet bazike, pensionet për personat me aftësi të kufizuara, pensionet për të rritur dhe fëmijë, pensionin familjar si dhe pensionin invalidor të punës.
“Ky është një lajm i mirë për pensionistët tanë, dhe një hap drejt përmirësimit të mirëqenies së tyre, pasi pensionet i kemi gjetur me 90 euro, tani do të marrin nga 150”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se ky vendim tregon përkushtimin e Qeverisë për mbështetje sociale dhe rritje të standardit të qytetarëve.
Buxheti i vitit 2026 kap vlerën mbi katër miliardë euro, dhe synon të adresojë nevojat e qytetarëve në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë arsimin, shëndetësinë dhe zhvillimin ekonomik.


