33 denarë do të jetë çmimi i ngrirë i bukës, bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi i cili tha se kjo vjen si pasojë e vet kompanive që nuk kanë ulur çmimet edhe pse tashmë 3 muaj shfrytëzojnë rrymë të subvencionuar nga Qeveria.
“Do ta përsëris edhe njëherë, ky është vetëm hapi i parë. Do të pasojnë vendime adekuate edhe për produktet tjera, nuk do të lejojmë qytetarët të paguajnë çmime më të larta nga ajo që është reale, veçanërisht për produktet ushqimore bazë. Presione, paralajmërime se do të mbyllen nuk do të mbyllen mund të bëjnë në ndonjë vend tjetër. Në Qeveri e cila kujdeset për qytetarët presione të tilla nuk kalojnë.”- deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Me qëllim që mos të ketë manipulime me gramaturën, Inspektorati i Tregut do të bëjë kontrolle të rregullta, ndërsa mjetet që deri tani kanë qenë të destinuara për subvencionimin e rrymës do të ridestinohen për masa tjera.
“Unë si Ministër i Ekonomisë për këto kompani të cilat tashmë 3 muaj nuk e respektojnë vendimin e Qeverisë dhe kanë rrymë të subvencionuar me diferencë thuajse 500 mijë euro në muaj nga ana e Qeverisë nëpërmjet EMV-së, ato 500 mijë euro që i kemi për momentin si shpenzim nga buxheti do t’i ri destinojmë, respektivisht do të dizajnojmë masa të reja të cilat do të jenë në dobi të qytetarëve. Një prej masave e paralajmërova ndoshta do të shkurtojmë tarifat doganore për importimin e pastave, që do të thotë se do të jetë financiarisht e mbështetur nga qeveria me qëllim që të ketë ulje shtesë të çmimit prej 4 ose 5 denarë nga çmimi aktual.”- pohoi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Të martën do të vendoset nëse masa për ngrirjen e çmimeve do të hyjë në fuqi më 1 mars apo më 1 prill. Përndryshe, sipas asaj që paralajmëron ministri, javëve në vazhdim do t’i ngrijnë edhe çmimet e disa produkteve ushqimore të tjera bazë, përfshirë këtu edhe pemët dhe perimet.
