Ish-funksionari i lartë partiak dhe profesori universitar Igor Ivanovski po kthehet në “Bihaçka”. Ka qenë pjesë e kabinetit të Branko Cërvenkovskit, ndërsa nesër pritet që të emërtohet në funksion nga Bordi qendror i partisë.
Nesër LSDM zgjedh udhëheqësi të re. Duhet të zgjedhjen katër nënkryetarë, ndërsa emrat që përfliten janë zv.kryeministri Fatmir Bytyqi, kryetari i Vallandovës, Petar Kostadinov, deputetja nga Manastiri, Bisera Kostadinova-Stojçeva, e cila u bë e njohur pasi që në Kuvend erdhi me skafandër dhe votoi për masat anti-kovid për ndihmë financiare.
Sekretar i ri i përgjithshëm i partisë, tashmë është e sigurt se do të jetë Mile Zeçeviq, i cili ishte edhe pjesë e fushatës së kryetarit të ri të partisë, Dimitar Kovaçevskit. Do ta zëvendësojë Lupço Nikollovskin.
Në Klik Plus në TV21, ministri për Punë të Brendshme paralajmëroi se do të largohet nga funksionet partiake, ndërsa është i pasigurtë edhe funksioni i tij në Qeveri.
“Këtë zgjedhje megjithatë duhet ta bëjë me njerëz të rinj, andaj mendoj se nuk duhet të jem pjesë e ekipit të ri me qëllim që të mos e ngarkoj as kryetarin as ekipin e ri. Ndoshta duhen njerëz të rinj. Kur flasim për njerëz të rinj nuk mendoj për njerëz që nuk janë rritur dhe nuk janë përpjekur nëpër strukturat e partisë, por njerëz që ndoshta kanë edhe më shumë energji dhe vizion të ndryshëm, ne patjetër do të jemi këtu, krah me krah për të ndihmuar”, tha Oliver Spasovski, LSDM (23.12.2021).
Në LSDM do të ketë ndryshime, ndërsa në këtë rol kyç do të kenë rinia, porositi kryetari i ri i partisë, Dimitar Kovaçevski në ngjarjen përfundimtare të Akademisë politike për demokraci sociale nën organizim të Institutit Progres.
“LSDM në periudhën që po vijon duhet të ndryshohet, ndërsa ju do të jeni bartës të këtij ndryshimi. Ka shumë punë para nesh për të ndryshuar gjërat, por kjo fillon me ndryshimin e vetes. Rinia ndoshta është edhe pjesa më e rëndësishme e një shoqërie dhe është e obliguar për ta krijuar të tashmen por edhe të ardhmen e shoqërisë. Rinia nuk duhet të qëndrojë anash dhe të presë por duhet të ndërmarrë aksion, ta ngrejë zërin dhe të luftojë për të ardhmen e vet. Zëri i rinisë dhe nevojat e tyre janë zëri që unë do t’i dëgjoj si lider i partisë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Nga emrat e mundshëm nag radhët e LSDM-së që pritet të marrin funksione në Qeveri, përmenden Nina Fiti si ministre për punë dhe politikë sociale, ndërsa për të njëjtin funksion përmendet edhe këshilltari i Qeverisë për punë dhe politikë sociale, Millan Zhivkoviq.
Bojan Mariçiq do të zëvendësojë Nikolla Dimitrovin në postin e zv.kryeministrit për çështje evropiane, emri i Petre Shilegov-it përmendet për postin e ministrit për transport dhe lidhje, zv.kryeministri Lupço Nikollovski mund të kthehet në Ministrinë e bujqësisë ndërsa në vendin e tij si zv,kryeministër për luftë kundër korrupsionit përmendet Sanja Llukarevska, drejtoresha aktuale e DAP dhe nënkryetare e LSDM.
Sipas paralajmërimeve, shefi i shtetit, Stevo Pendarovski, të mërkurën do t’ia dorëzojë Kovaçevskit mandatin për Qeveri të re. Ai nuk do të kërkojë vërtetim në formë të shkruar nga 61 deputetë që qëndrojnë pas kandidaturës së liderit të LSDM, që ishte praktikë e Ivanovit kur Zaevit ia dorëzoi mandatin, por këtë gjë e përdori edhe Pendarovski vitin e kaluar gjatë mandatit të ditë të kryeministrit në ikje.
Për zgjedhjen e Qeverisë së re, Kovaçevskit do t’i nevojitet shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
