Përfundon fushata dyjavore për rrethin e dytë të Zgjedhjeve Lokale 2025, të cilat do të mbahen të dielën më 2 nëntor. Në mesnatë fillon heshtja që zgjat deri të dielën në orën 19:00, përcjell TV21. Në rrethin e dytë të dielën do të votohet për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe në tre vendvotime në Shuto Orizarë për këshilltarë.
Të drejtë vote kanë mbi 1 milion e 13 mijë qytetarë, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Për votim nga shtëpia janë regjistruar mbi 4.800 persona të sëmurë dhe të dobësuar, më së shumti në Kërçovë. Të sëmurët, të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak do të votojnë një ditë para zgjedhjeve, d.m.th. nesër. Votimi do të ndiqet nga vëzhgues vendas dhe të huaj.


