Në disa shkolla fillore të Çairit do të ndërpritet mësimi, nëse të njëjtat nuk furnizohen me gaz për ngrohjen qendrore. E kërkesat e ngrohtores Shkup-Veri për ndihmë nuk po përfillen nga ana e EMV-së. Kryetari i Çairit Visar Ganiu thotë se pushteti lokal edhe ai qendror duhet të angazhohen më shumë dhe të zgjidhin problemin financiar të ngrohtores në fjalë.
“Duke ditur që jemi në një vit krize energjetike, duhet vërtet t’i ndihmohet kësaj kompanie, për shkak ju e dini se disa shkolla fillore nga komuna jonë nuk kanë burim tjetër të ngrohjes përveç se këtë formë, nuk kemi alternativë te ato shkolla, kështu që çdo ndërprerje e furnizimit të kësaj ngrohtore te shkollat tona, atëherë do të thotë edhe ndërprerje të procesit edukativo-arsimor, nuk është një gjë e mirë.”- deklaroi Visar Ganiu – Kryetar i Komunës së Çairit.
Drejtori i Shkup-Veri Kushtim Ramadani i kishte dhënë ultimatum drejtorit të EMV-së, Vasko Kovaçevski që deri sot në mesditë të pranojë propozimet e tij dhe të nënshkruajnë marrëveshjen tekniko-afariste , mirëpo i njëjti nuk e mori parasysh. Ngrohtorja nuk disponon më me mjete financiare, ndërsa vetëm për muajin nëntor duhet të paguaj 17 milion denarë për pro faturën.
“I lutëm që deri ora 12 të na lajmërojnë nëse e pranojnë ose jo kontratën tonë, ose nëse kanë ndonjë vërejtje. Deri në ora 12 nuk kishte ndonjë komunikim, në ora 14:00 prap i përkujtova me një e-mail që shkaku urgjencës të situatës ta marrin në trajtim propozim kontratën tonë dhe presim tani se çka do të na thonë, nëse jo, nuk na ngelet tjetër vetëm se t’i drejtohemi qeverisë me urgjencë.”- deklaroi Kushtrim ramadani – drejtor i ngrohtores “Shkup Veri”
Hapi i ardhshëm i Ramadanit është të kërkojë ndihmë në Qeveri, dhe këtë e bëri përmes një letre.
Nga EMV përsëri nuk pranuan të prononcohen për TV21. Na thanë se nuk ka diçka të re. Ndryshe sipas Ramadanit Shkup-Veri po diskriminohet ngaqë dy ngrohtoreve tjera EMV i ka ndarë 18 milion euro ndërsa kësaj të fundit as 18 euro. Ndihma që kërkon SHA Shkup-Veri është rreth 1 milion euro, për t’ju kompensuar diferenca në mes të çmimit të blerjes së gazit dhe çmimit të aprovuar nga KRrE.
