“Nëse ndodh tranzicion, ai do të jetë i qetë”! “SHBA ka prioritete më të mëdha nga Ballkani”

TË FUNDIT


Bajden apo Tramp? Kushdo që të bëhet President i SHBA-ve, kjo nuk do të sjellë ndryshime thelbësore në Ballkan, konsideron ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq.


“Mendoj se nuk do të ketë ndryshime thelbësore sa i takon politikës ndaj Ballkanit, nëse vjen deri te një tranzicion. Ballkani është një prioritet relativisht i vogël për politikën amerikane”, theksoi Vuk Jeremiq – ish-ministër i Jashtëm i Sërbisë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Igor Cërndak, theksoi se nuk duhet të gënjehemi duke thënë se nëse Xho Bajdeni vjen në pushtet në SHBA, do të ulet, do ta kthejë globin dhe do ta drejtojë gishtin kah Ballkani.

 “Të mos biem në kurth duke menduar se Xho Bajdeni do të ulet në shtëpinë e tij, do ta marrë globin, do ta drejtojë gishtin kah Ballkani dhe do të thotë – Le të përballemi. Irani, Kina, Rusia, Lindja e Mesme, Siria, raportet me NATO – këto janë prioritetet më të mëdha. Nuk pres interes të madh strategjik për Ballkanin”, u shpreh Igor Cërndak – ish-ministër i Jashtëm i Bosnjës dhe Hercegovinës.

Nga ana tjetër, analisti Ljubomir Filipoviq, në emisionin debativ “Klik Plus” të TV21, theksoi se këto sondazhe janë aq të pasigurta sa që rezultatet e para do të mësohen pas një jave.


“Demokratët dhe Republikanët u obliguan se nëse vjen deri te tranzicion i pushtetit, ai do të jetë i qetë dhe në pajtueshmëri me demokracinë, me qëllim që të mos ndodh precedent që mund ta lëkundë stabilitetin”, deklaroi Ljubomir Filipoviq – analist.

Një analist i Bi-Bi-Si, thotë se zhvillimi i ngjarjeve shkon sipas “recetës për shijen e hidhur dhe betejës së gjatë juridike”, që do t’i shtyjë votuesit e kandidatit që do të humbë, të ndjehen të mashtruar dhe të mllefosur.


Në rast se realizohet skenari që të dy kandidatët të fitojnë nga 269 vota elektorale, atëherë Kushtetuta parasheh Presidentin ta zgjedhë Dhoma e Përfaqësuesve ku çdo shtet ka nga një votë, kurse pastaj të gjithë punën e merr përsipër Senati.