Nënshkruhen dy memorandume në Tiranë – rajoni e përforcon bashkëpunimin në sferën digjitale

TË FUNDIT

Thellimi i bashkëpunimit në sferat e 5G-së, interoperabilitetit në drejtim të integrimit digjital, shkëmbimit të sigurt të të dhënave dhe ndërlidhjes më të ngushtë reciproke, është qëllimi i dy memorandumeve që u nënshkruan sot në takimin përmbyllës ministror në Tiranë.

Në takimin me të cilin u përmbyll Samiti Digjital për Ballkanin Perëndimor, mori pjesë edhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri.

Dy memorandumet i nënshkruan Shaqiri dhe kolegët e tij të rajonit: Vojin Mitroviq ministër i Komunikimeve dhe Transportit të Bosnjë e Hercegovinës, Blerim Kuçi ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Mjedisit Jetësor të Republikës së Kosovës, Suzana Pribiloviq ministre e Administratës Publike të Malit të Zi, Tatjana Matiq ministre e Tregtisë, Turizimit dhe Telekomunikacionit të Republikës së Serbisë, si dhe Etjen Xhafaj zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë.

Siç kumtoi MSHIA, me partnerët e Ballkanit Perëndimor, ministri Shaqiri pati mundësinë të shkëmbejë përvoja dhe praktika të mira në aspekt të transformimit digjital të rajonit. Bashkëbiseduesit biseduan ndërmjet tyre rreth mundësive për thellimin e bashkëpunimit, por edhe për sfidat me të cilat po përballen në realizimin e synimit kyç dhe ky është përmirësimi i cilësisë së jetesës së të gjithë qytetarëve në të gjashtë shtetet.

Në takim u miratuan konkluzionet nga mbajtja e Samitit të tretë digjital të Ballkanit Perëndimor, lidhur me aktivitetet të cilat do të pasojnë.

Samiti e promovoi perspektivën digjitale të Ballkanit Perëndimor, ndërsa i përfshiu katër platforma kryesore: Lidhja e rrjeteve dhe shërbimeve, besim dhe siguri, aftësi digjitale dhe ekonomi digjitale. Samiti u realizua në kuadër të një nisme, e cila ka dalë nga Procesi i Berlinit dhe Plani Shumëvjeçar i Veprimit të Zonës Rajonale Ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Ceremoninë e hapi kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, duke i theksuar përfitimet nga Agjenda e përbashkët digjitale.