Nëna që mbeti pa 3 organe gjatë lindjes, dëshmoi infermierja kujdestare e Spitalit të Strugës

TË FUNDIT

Vazhdoi gjykimi për nënën nga Dibra, e cila në gusht të vitit 2020 mbeti pa tre organe gjatë lindjes.

Infermieria Sarita Peshinoska si dëshmitare tregoi se lehona pas lindjes ankohej për dhimbje, por dëshironte të largohej nga spitali. Infermierja rrëfeu se mjekja kujdestare, Liljana Jovanoska, nuk e ka lënë të shkojë, por e ka thirrur mjekun e parë të akuzuar Muhamed Asanin, kështu që lehona pas analizave dhe dhimbjeve të shumta është futur në sallë për një operacion tjetër, por s’ka pasur detaje për operacion.

E dëmtuara Jilldaz Veaposka tha se ka dashur të largohet për të kërkuar ndihmë në një spital tjetër sepse ka pasur dhimbje të mëdha. Ajo i bërë thirrje ministrit të Shëndetësisë që t’ua heqë licencat mjekëve të akuzuar.

 “Kam një thirrje për ministrin e shëndetësisë pasi i shoh të gjitha rastet për anesteziologun, për Janën, për vogëlushin, të ketë vesh edhe për rastin tim, të përgjigjet oda e mjekësve dhe tek institucionet përkatëse për të kërkuar heqjen e licencave të  mjekëve që ma bënë mua këtë”, tha Jilldaz Veaposka, e dëmtuara.

Në seancën e radhës do të dëgjohen ekspertët e mjekësisë ligjore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Sipas avokatit të të dëmtuarës, këta do të jenë dëshmitarët kyç që do të sqarojnë dilemën e ndodhur gjatë operacionit.

“Këtu do të ketë pak taktikë, pasi mbrojtja ka dorëzuar ekspertizën e saj, të cilat bien ndesh me ekspertizën e mjekësisë ligjore. Këtu një rezultat i parashikueshëm i vendimit të gjykatës do të jetë dhënia e një super ekspertizë që do ta rëndojë procedurën, por ne jemi të gatshëm për këtë sepse e dimë se çfarë ka ndodhur gjatë operacionit”, pohoi Sasho Janev, avokat i të dëmtuarës.

Mjeku Muhamed Asani është ish-drejtor i Spitalit të Strugës, i cili është shkarkuar pikërisht për këtë rast. I akuzuari i dytë është djali i tij Blerton Asani si mjek-specialist në gjinekologji dhe e akuzuara e tretë mjekja Liljana Jovanoska. Ata akuzohen për krime të rënda kundër shëndetit të njerëzve. Me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore kanë përdorur mjete dhe metodë të papërshtatshme mjekimi, gjë që ka bërë që nënës nga Dibra t’i përkeqësohet gjendja shëndetësore, me çka ajo ka mbetur pa mitër, vezorë dhe veshkë. Në seancën e parë të akuzuarit kanë thënë se nuk ndihen fajtorë për veprën penale.