Ka indikacione për kartel edhe te autoshkollat. Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës po verifikon mbi 40 autoshkolla, pasi dyshon se janë marrë vesh për çmimet e trajnimit të kandidatëve për drejtues automjetesh. Përndryshe, nga fillimi i këtij muaji autoshkollat e rritën çmimin e trajnimit për 8.500 denarë, pra për rreth 35%. Kështu, për marrjen e patentës së shoferit për kategorinë B, në vend të 24.400 denarëve, tani kërkojnë 33.000 denarë. Nga Komisioni thonë se kanë bërë inspektim dhe janë duke mbledhur prova.
“Gjatë inspektimit janë konstatuar indikacione që tregojnë mundësi për sjellje të harmonizuar të autoshkollave – kartel në formimin e çmimeve për trajnimin e kandidatëve për drejtues automjetesh, që paraqet potencialisht shkelje të nenit 7 paragrafi (1) të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thotë omisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Ndërkohë, nga autoshkollat të cilat i kontaktoi TV21, atëherë deklaruan se vendimin për rritjen e çmimit e kanë marrë vetë në një takim dhe se janë detyruar të marrin një hap të tillë pasi shpenzimet janë rritur, ndërsa çmimi nuk ishte lëvizur prej dhjetë vitesh. Para 15 viteve kishin të caktuar çmimin më të ulët nga shteti prej 19.300 denarëve. Por para dhjetë viteve e rritën në 24.500, që tani të arrijë në 33.000 denarë.
“Ishim të rregulluar, çmimin më të ulët e morëm para 15 viteve nga shteti, pas kësaj vetë i kemi rritur çmimet sepse më nuk mund të përballohej. Gjërat kanë qenë ndryshe para 15 viteve, ndryshe para 10 viteve. Çmimi i naftës u rrit, shpenzimet u rritën”, thotë pronari i një autoshkolle.
Nga Komisioni thonë se nëse konfirmohet ekzistimi i marrëveshjes së ndaluar, do të merren masa të duhura në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Kohët e fundit u zbulua kartel edhe në biznesin e sigurimeve. Dhjetë kompani sigurimesh u gjobitën me gjithsej 280.000 euro, sepse kishin rënë dakord t’i shtrenjtojnë policat e sigurimit të përgjegjësisë së automjeteve. Ndërsa më herët, katër supermarkete u gjobitën me nga 50.000 euro për kartel të çmimeve. Lidhja e Odave Ekonomike u gjobit me 18.000 euro.
