Në zgjedhjet e reja, LSDM del me emra të vjetër! VMRO-DPMNE kritikon, Zaev nuk ka për të ofruar diçka të re

TË FUNDIT

Vendimi i socialdemokratëve që për zgjedhjet lokale t’i kandidojnë kryesisht kryetarët aktualë të komunave, të paktën për grupin e parë, nuk solli befasi të madhe në opinion publik. Nga opozitarja VMRO-DPMNE për emrat e propozuara të LSDM-së thonë se pushteti në zgjedhje del me kuadro të vjetra, duke mos ofruar asgjë të re.

 “LSDM-ja tregoi se nuk ka plan e as vizion dhe nuk e di se si duhet. Dinë vetëm për krim, zhvatje  dhe dhunë. Për mandatin e dytë e propozoi kryetarin më të paaftë që e ka pasur  Shkupi. LSDM-ja shkon me Petre Shilegovin i cili gjatë këtyre katër vjetëve tregoi vetëm gënjeshtra, kiç dhe ka bërë vetëm parada. Ai nuk ka bërë asgjë”, tha Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.

Krahas Shilegovit, në betejën për mandatin e dytë do të garojnë edhe Temellkovi në Kisella Vodë, Smilevski në Butel, Halimi në Haraçinë, Nikollov në Shtip, Georgievski në Ohër, që janë pjesë e 30 kandidatëve të propozuar nga LSDM-ja. Mes tyre vetëm dy emra janë të rinj, emrat e kandidatëve për Pehçevë dhe Rosoman. Zaev tha se vetë fakti që në zgjedhjet dalin me kryetarët aktualë do të thotë se ata ishin kryetarë të suksesshëm ndërsa këtë e kanë konfirmuar edhe anketat e qytetarëve.

 “Vendimtare në vendimet tona janë anketat e qytetarëve. Personalisht besoj te këto 30 organizatat komunale të LSDM-së ku i kemi emëruar kandidatët. Ka mundësi teorike që Shilegovi të zgjidhet për shkak se në vitin 2017 Shkupi për herë të parë në rrethin e dytë zgjodhi kryetar. Ne besojmë se kjo mund të ndodhë edhe në këto zgjedhje”, u shpreh Zoran Zaev – kryetar i LSDM-së.

LSDM-ja paralajmëroi se grupin e dytë të kandidatëve do ta prezantojë në fillim të gushtit ndërsa grupin e tretë, deri në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit. Paralajmërohet edhe koalicion i mundshëm me BDI-në. Zaev paralajmëron se deri në fund të këtij muaji do të takohet me Ahmetin ndërsa pritshmëritë janë se përkrahjen më të madhe do ta kenë që në rrethin e parë.