“Në vend se sot të jemi të gëzueshëm dhe ta ngrejmë kokën lartë, të festojmë, ne jemi pak a shumë të plagosur padrejtësisht”, me këto fjalë, me buzë nën vaj nga mërzia e madhe, ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut ka kujtuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjenden në Hagë.
Ai ka njoftuar si Ambasadë nuk ka organizuar asnjë aktivitet, pasi siç tha, Kosova edhe njëherë është goditur padrejtësisht.
“Është pandemi, dhe ne nuk kemi organizuar asgjë. Por është edhe diçka tjetër për Kosovën, se ne jemi goditur padrejtësisht duke i dërguar djemtë tanë, burrat tanë, heronjtë tanë, çlirimtarët tanë të Kosovës në Hagë padrejtësisht dhe kemi dashur të solidarizohemi me ata. Ata nuk e kanë vendin në Hagë. Ata sot e kanë vendin në Prishtinë, e kanë vendin në Tiranë, e kanë vendin në Shkup. Sepse, ata kanë bërë luftë çlirimtare për të mbrojtur pragun e shtëpisë, nderin, familjen dhe fëmijët e Kosovës dhe për të realizuar lirinë e Kosovës”, tha Dedaj, transmeton TV21.
Ai ka shtuar, se luftë me Serbinë nuk kemi pasur vetëm gjatë viteve 99, por që 100 vjet. Kjo luftë vazhdon edhe sot. Ndërkaq ka shtruar dorën e pajtimit, në shkëmbim të kërkimfaljes dhe dënimit të gjenocidit të Sllobodan Millosheviqit.
“Edhe sot ne jemi në luftë. Ende nuk kërkon faljet, me dënu gjenocidin e Millosheviçit dhe si dy vende fqinje, me ta lemë të kaluarën pas nesh, të pajtohemi por pa harruar. Kjo, për të ardhmen e rajonit, që kjo pjesë e Evropës të shpejton integrimin euroatlantik”, tha Dedaj më tej.
Në fjalimin e tij në akademinë për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Dedaj ka vlerësuar lartë edhe kontributin e familjes Jashari.
Fjalimin e Dedajt për krerët e UÇK-së mund ta ndiqni nga minuta e 27-të.
