Stuhia e fuqishme që dje goditi Shkupin, sipas klasifikimit të fuqisë së erës, ishte një orkan – uragan, me shpejtësi të erës prej 130 kilometrash në orë. Shpejtësia maksimale e erës është matur në Shtip, në orën 17:00, ku ka fryrë erë uragani me shpejtësi 134 kilometra në orë, nga drejtimi perëndim-veriperëndim.
Siç sqarojnë nga DPHM (Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike), një orkan – uragan është erë jashtëzakonisht e fortë, e cila në këtë rajon ndodh shumë rrallë dhe shkakton shkatërrime të mëdha dhe dëme të konsiderueshme.
Erë me të njëjtën fuqi, prej 130 kilometrash në orë, është regjistruar edhe në Novo Sellë të Strumicës. Në rajonin e Shkupit, në vitin 1990, ishte regjistruar erë e fuqishme me shpejtësi 147 kilometra në orë. Në shkurt të vitit 1990, UHMР kishte matur në kryeqytet këtë shpejtësi rekord dhe deri dje, për më shumë se 36 vjet, nuk kishte pasur goditje kaq të forta të erës në Shkup.
Shpejtësia më e madhe e erës e regjistruar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut është matur në Shtip, në korrik të vitit 2012, kur era kishte arritur 155 kilometra në orë, bëjnë të ditur nga DPHM (Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike).


