Në Teatrin Shqiptar të Shkupit më 27 dhe 29 tetor, me fillim nga ora 20:00 do të jepet premiera e shfaqjes “Tri motrat”,vepër e dramaturgut rus, Anton Pavloviç Çehov. Shfaqja është nën regji të Qëndrim Rijanit
” Tri motrat është një nga kryeveprat botërore e cila për herë të parë vjen shqip në teatrin shqiptar. Është një shfaqje ansabli e cila përveç temave të fuqishme që trajton besojmë se do ti ofrojë spektatorit edhe një lloj spektakli të veçant. Shpresojmë që publiku do të dalë i kënaqur dhe i përmbushur nga premierat”, tha Rijani për TV21.
Në këtë shfaqje në rolet kryesore do të interpretojnë aktoret Armenis Nokshiqi, Zarije Jonuzi Çeliku dhe Sabina Memishi.
Komedia romantike “Tri motrat” është një ndër kryeveprat e Çehovit dhe një ndër veprat më të shfaqura në teatrot botëror. Ngjarjet e veprës zhvillohen në një provincë të Rusisë në një familje të thjeshtë ku brenda saj jetojnë tri motra dhe një vëlla. Olga, motra e madhe, e cila jep mësim në gjimnaz; Masha, motra e dytë është martuar me Kulliginin një mësues; Andreji, vëllai i tyre i pasionuar pas violinës, është punonjës në administratën lokale të qytetit i martuar me Nataljen; Irina, motra e vogël, punon telegrafiste.
Motrat janë vajza me botë shumë të pasur intelektuale dhe shpirtërore. Kanë ëndrra dhe pasione për jetën, kërkojnë dashurinë e vërtetë dhe thirrja e tyre e fortë është “të shkojmë në Moskë”.
