Numri i vdekjeve nga koronavirusi në nivel ditor në SHBA ka tejkaluar 2.000 për herë të parë që nga maji, ndërsa spitalet në të gjithë vendin janë tashmë të mbushura.
Në 24 orët e fundit, kanë vdekur 2.157 njerëz dhe janë infektuar 170.000, ndërsa ekspertët sugjerojnë se numri mund të rritet pasi që miliona amerikanë udhëtojnë për festën e nesërme Dita e Falënderimeve, pavarësisht thirrjeve për të qëndruar në shtëpi.
Numri i të hospitalizuarve në tërë Amerikën ka tejkaluar 87.000 në 24 orët e fundit, ndërsa 30 nga 50 shtetet raportuan se në nëntor kanë numër rekord të pacientëve në spital.
“Që nga fillimi i pandemisë globale, SHBA-ja ka pasur gati 260.000 vdekje dhe 12,6 milionë infeksione, më së shumti në botë, ndërsa pas udhëtimit me rastin e Ditës së Falënderimeve, me siguri askush nuk do të mund të na arrijë”, tha dr. Tatiana Provel nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin “Xhons Hopkins”.
