Në kuadër të kontrolleve njëmujore të përforcuara të transportit publik në rajonin e Gostivarit, dje u zbuluan edhe shtatë automjete, kryesisht furgonë, pronarët e të cilëve nuk posedonin licenca për kryerje të transportit të tillë. Pronarët e automjeteve po përballen me padi penale për “kryerje të transportit publik pa posedim të licencës”.
Nga SPB Tetovë theksojnë se gjatë kontrolleve të javës së kaluar u zbuluan 11 automjete për të cilat pronarët nuk kishin licenca adekuate. SPB Tetovë parashtroi padi penale kundër tyre dhe ata po përballen me dënime të larta në të holla.
Nga fundi i muajit, policia i përforcoi aktivitetet kontrolluese në transportin publik të udhëtarëve, me të cilët janë përfshirë autobusët ndërurban dhe lokal, furgonët dhe taksi automjetet e udhëtarëve.
“Në bashkëveprim me Sektorin për krim ekonomik, të gjithë pronarëve u janë përgatitur padi adekuate penale sipas nenit 284 a nga Kodi penal dhe do të përballen me sanksione të parapara në të holla dhe të tjera. Çfarë do të jenë, kjo varet nga rrethanat nën të cilat është kryer vepra dhe pasojat përfundimtare”, tha zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski.
Krahas kësaj, nga mesi i javës së kaluar po kontrollohet edhe zbatimi i vendimit qeveritar për 50 për qind shfrytëzim të kapaciteteve në transportin publik. Tre transportues të autobusëve që veprojnë në rajonin e Gostivarit nuk e respektuan këtë vendim. Për ta janë përgatitur padi penale për “mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.
