Në pritje të konferencës për shtyp të KSHZ-së, partitë filluan të shpallin fitore

TË FUNDIT

Në pritje të konferencës për shtyp të Komisionit shtetëror zgjedhor (KSHZ), që duhej të mbahej në orën 21:00, por u shty për një kohë të pacaktuar, shtabet partiake filluan të dalin me rezultate fillestare jozyrtare për disa komuna të caktuara.

Nga LSDM brifojnë se fitore në rreth të parë realizuan në Dellçevë, Vallandovë, Dojran, Kriva Pallankë… Nga partia thonë se prijnë bindshëm me mundësi fitoreje në rreth të parë në Strumicë, Resnjë, Krushevë dhe Llozovë. Epërsi bindëse, si thonë nga partia, kanë edhe në Berovë, Probishtip, Bogdanci dhe Pehçevë.

Nga LSDM brifojnë edhe se Petre Shilegov prin para Danella Arsovskës në Shkup dhe se pret fitore, ndërsa kandidatët për kryetarë të komunave të koalicionit të tyre janë në epërsi në Shuto Orizarë, Qendër, Karposh dhe Butel.

VMRO-DPMNE, ndërkaq sipas burimeve partiake, shpalli fitore në rreth të parë në Jegunoc, Mogillë, Gradsko, Sopishte, Petrovec dhe Vinicë. Partia opozitare sipas përfaqësuesve partiakë,l prin edhe në Sveti Nikole dhe prilep. Sipas zëdhënësit partiak Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE prin në të gjitha komunat e Shkupit.

Lideri i partisë opozitare, Hristian Mickoski, në Fejsbuk shpalli fitore. “Populli është përcaktuar, Shpresa ka lindur. Për secilin njeri në Maqedoni. Bashkarisht për të ardhme të re. Fitore dhe përgjegjësi e madhe! Ju falënderoj popull i Maqedonisë”, shkroi Mickoski.

Edhe një fitore e sigurt për LSDM-në, paraprakisht në konferencë për shtyp paralajmëroi sekretari i përgjithshëm i partisë, Ljupço Nikollovski. “LSDM i vlerësoi zgjedhjet lokale si të drejta, të lira dhe demokratike. Nga partia paralajmëruan se qendra e tyre analitike tashmë ka filluar me përpunimin e të dhënave të para, të cilat i marrin nga shtabet komunale zgjedhore dhe potencuan se trendet fillestare, tregojnë se LSDM dhe koalicioni “Më e mira për komunën time” do të shënojnë edhe një fitore të sigurt”, shkroi ai.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, në konferencën e parë për shtyp pas përfundimit të votimit për zgjedhjet lokale theksoi se fillimisht presin fitore në tre komuna që në rrethin e parë.

“Sipas rezultateve preliminare nga votat e numëruara deri më tani, që në rreth të parë presim fitore të BDI-së në Saraj, Pllasnicë, Likovë. BDI ka epërsi në të gjitha komunat e tjera ku merr pjesë me kandidatë të vet dhe mund të them se e tërë pjesa është gjelbëruar. Sipas njohurive fillestare, BDI është në epërsi për shembull në Çair kam njohuri të pakonfirmuara se raporti është 2-1 për BDI-në dhe është e madhe epërsia dhe mundësia për fitore që në rreth të parë, por nuk kam konfirmim definitiv. Në Kumanovë raporti është 3-1 për BDI-në. Trendet çojnë drejt fitores së madhe të BDI-së”, theksoi Osmani në konferencë për shtyp.

Artan Grubi, ndërkaq në Fejsbuk shpalli fitore të BDI-së në Haraçinë, Likovë, Bogovinë, Tearcë, Zhelinë.

Arben Taravari nga koalicioni Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa, ndërkaq deklaroi se 55 për qind e votave, përkatësisht 16 mijë vota nga 100 për qind të numëruara të procesverbaleve nga vendvotimet, praktikisht fitoi në rrethin e parë.

“Shpresoj që BDI të mos bëjë në KKZ ndonjë parregullsi. kalojmë me fitore bindëse me rreth tre mijë vota edhe pse i tërë aparati shtetëror ishte sot dhe ditëve të kaluara në Gostivar me automobila, me kërcënime, me para, me blerje të votave, ndërkaq që populli është më i fuqishëm. Populli vendosë. I falënderoj të gjithë gostivarasit që dolën sot dhe votuan dhe i ndëshkuan ata që ishin me banda. Kësaj radhe populli i ndershëm i Gostivarit i fitoi njerëzit e ndyrë dhe bandat në rajonin e Gostivarit”, deklaroi Taravari, i cili lufton për mandat të dytë për pozitën e kryetarit të komunës në Gostivar.