Në një kontejner me ngarkesë nga Amerika Latine, që kishte mbërritur në portin e Selanikut, policia greke ka zbuluar 271 kilogramë e 150 gramë kokainë, me vlerë të përafërt mbi 5,5 milionë euro. Në lidhje me rastin janë arrestuar tre persona, anëtarë të një organizate kriminale me veprimtari ndërkombëtare.
Sipas Policisë greke, organizata kriminale u shpërbë pas bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Agjencinë Kombëtare për Luftën kundër Krimit të Mbretërisë së Bashkuar, lidhur me transportin dhe importimin detar të një sasie të madhe kokaine nga Amerika Latine drejt portit të Selanikut.

Operacioni u zhvillua të mërkurën, kur u gjet kontejneri ku droga ishte fshehur në një ndarje speciale. Tre anëtarët e organizatës u arrestuan të shtunën, në periferi të Athinës.

Të arrestuarit, të moshës mes 32 dhe 47 vjeç, kishin role të veçanta në procesin e importit dhe tregtisë së drogës.
“Fitimi i paligjshëm i anëtarëve të organizatës nga shitja e sasisë së sekuestruar të kokainës vlerësohet në mbi 5,5 milionë euro,” bëri të ditur policia greke.

