Sërish rritje e numrit të pacientëve në Gostivar!

TË FUNDIT

Shënohet rritje e numrit të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin dhe në qendrën shëndetësore në Gostivar, pas shpalljes së epidemisë nga uji i kontaminuar.

Sipas kësaj grafike të Ministrisë së Shëndetësisë, nëse më 24 korrik u shënua rënie e dukshme e pacientëve në vetëm 80, dje, më 25 korrik është shënuar rritje në 125 pacientë.

Po Ministria, përveç që ka dërguar këto të dhëna, nuk ka dhënë ndonjë sqarim se çfarë e ka sjellë këtë trend rritës të numrit të pacientëve.

Piku i të paraqiturve ka qenë më 18 korrik, kur gjithsej 649 pacientë, ndërsa në total nga 14 korriku e deri më datë 25, 4070 kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ndonëse kryeministri Mickoski gjatë javës paralajmëroi se nëse gjithçka shkon sipas planit, këtë fundjavë Gostivari mund të kishte ujë teknik, kjo nuk ndodhi. Ministri i shëndetësisë Klekovski dje arsyetoi se ende nuk është arritur niveli i nevojshëm i klorit në ujë.

E sot, kryeministri dha një afat të ri, Gostivari nesër do të ketë ujë teknik.

“Pres sot, megjithëse rezultatet tashmë janë të mira, por pres sot dhe le të jemi konservatorë. Le të themi që nesër të publikohet një deklaratë se uji është teknikisht i përshtatshëm për përdorim, pasi është rregulluar në një kohë rekord prej një jave”, tha Hristijan Mikcoski, kryeministër.

Për ta arritur këtë, ekipet e “Ujësjellësit” nga Shkupi po punojnë në Gostivar. Ndërkohë qyteti vazhdon të konsumojë vetëm ujë të ambalazhuar dhe të përdorë për pastrim ujë që u shkon me cisterna si ndihmë nga qeveria ose komunat e tjera.

E sa i përket hetimit për rastin, Mickoski theksoi se Prokuroria tashmë ka identifikuar përgjegjësinë për ndotjen e sistemit të furnizimit me ujë, por hetimet do të vazhdojnë nëse lind nevoja për të përcaktuar përgjegjësi shtesë.

“Përgjegjësia e plotë për atë që ka ndodhur, për momentin, është identifikuar nga prokuroria. Më tej do të vazhdohet me përcaktimin e përgjegjësive të tjera nëse është e nevojshme. Ne menjëherë siguruam ujë të pijshëm. Falënderoj të gjithë ata që u bashkuan në aktivitet”, theksoi Mickoski.  

Në Gostivar u shpall epidemi pas rritjes së numrit të qytetarëve të prekur nga uji i ndotur, ndërsa Qeveria ka shpallur gjendje krize 30-ditore për menaxhimin e situatës. Kjo pasi mijëra banorë kërkuan ndihmë mjekësore, ndërsa hetimet penale zbuluan dyshime për ndërhyrje të paligjshme në sistemin e ujësjellësit, ku dyshohet se u vendos një pompë që fuste ujë nga lumi Vardar në tubacionin kryesor. Tre persona janë në paraburgim për 30 ditë me dyshimin për ndotjen e ujit, ndërsa analizat kanë treguar se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.