Në një sulm në një kampus universitar në Kabul vriten të paktën 20 persona

TË FUNDIT

 Të paktën 20 persona janë vrarë, ndërsa 22 u plagosën pasi tre sulmues të armatosur sot hynë në kampusin e Universitetit në Kabul dhe filluan të shtëna me forcat elite të Afganistanit në kohëzgjatje prej gjashtë orëve, kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Mediat afgane njoftojnë se të paktën 10 prej të vdekurve janë studentë.

Operacioni për zbardhje, zgjat akoma, sipas zëdhënësit të ministrisë, Tarik Arijan, njofton agjencia gjermane DPA.

Pasi kanë hyrë në kampus, të veshur me uniformë ushtarake, sulmuesit ndërmorën pozitën e njërit prej fakulteteve dhe filluan të shkëmbejnë zjarr me forcat elite afgane me orë, deklaruan dëshmitarët okularë.

Helikopterët po fluturojnë mbi kampusin, ndërsa herë pas here është dëgjuar një jehonë e shpërthimeve dhe të shtënave dytësore.

Një përfaqësues ushtarak amerikan e konfirmoi se misioni “Mbështetje e vendosur” e kryesuar nga NATO siguron mbështetje për forcat e sigurisë afgane gjatë operacionit por refuzoi të japë detaje specifike.

Qindra studentë, profesorë dhe personel administrativ i Universitetit janë arratisur përmes mureve të kompleksit, ndërsa qindra të tjerë janë shpëtuar nga forcat e sigurisë, sipas personave zyrtarë dhe dëshmitarëve okularë.

Sulmuesit kanë shtënë ndaj studentëve të cilët janë arratisur drejt hapësirave në kampus.

“Kanë shtënë ndaj të gjithë studentëve të cilët do t’i shihnin”, deklaroi dëshmitari okular Fatulla Moradi i cili sqaroi se me një grup miqsh ka arritur të arratiset përmes njërës prej daljeve të kampusit.

Luftëtarët talebanë pohojnë se nuk qëndrojnë pas sulmit ndërsa tani për tani askush nuk e ndërmori përgjegjësinë për të.

Mediat afgane njoftuan se sot në Universitet është duke u mbajtur panairi afgano-iranian i librit dhe se kur kanë filluar të shtënat në kampus kanë qenë disa funksionarë, në mesin e të cilëve edhe ambasadori iranian në Afganistan.

Përfaqësuesi i NATO-s në Afganistan, Stefano Pontekorov e dënoi sulmin.

“Ky është sulmi i dytë ndaj një institucioni arsimor në Kabul në dhjetë ditë. Fëmijët dhe të rinjtë afganë duhet të ndjehen të sigurt derisa arsimohen”, porositi ai.

Muajin e kaluar, 24 persona, kryesisht studentë, janë vrarë në një sulm në një qendër arsimi në Kabul. Dhuna po e godet Afganistanin në kohën kur Qeveria dhe negociuesit talebanë takohen në Katar për të arritur marrëveshje paqeruajtëse e cila do të rezultojë me tërheqjen e ushtrisë amerikane. shk/