Udhëheqësi joformal i Republikës Srpska, Milorad Dodik, është ftuar në mëngjesin e lutjes të organizuar nga presidenti amerikan Donald Trump në Uashington, në fillim të muajit shkurt. Ftesa vjen vetëm tre muaj pasi atij iu hoqën sanksionet, të cilat i kishte prej vitesh për shkak të veprimeve të tij separatiste në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në një intervistë për gazetën e Beogradit “Politika”, Dodik konfirmoi se ka marrë ftesë për të marrë pjesë në mëngjesin e lutjes, por tha se ende nuk është i sigurt nëse do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për shkak të zgjedhjeve të përsëritura për president të Republikës Srpska, të planifikuara për më 8 shkurt. Vizita në Uashington, sipas tij, është paraparë për 7 dhe 8 shkurt.
“Si kryetar i partisë kam obligim të jem i pranishëm dhe të organizoj strukturën që duhet të votojë. Do të shohim, nëse ka hapësirë për udhëtim, do të shkoj,” deklaroi Dodik.
Ai shtoi se e ka mbështetur presidentin aktual amerikan, Donald Trump, gjatë të dy mandateve të tij dhe se kjo, sipas tij, nuk ka kaluar pa u vënë re.
Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj Dodikut në vitin 2017, për shkak të veprimeve që u konsideruan si kërcënim për stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe si shkelje e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit. Megjithatë, në fund të tetorit të vitit të kaluar, autoritetet amerikane e hoqën Dodikun nga lista e personave të sanksionuar.
